Profesor Rexhep Meidani feston sot ditëlindjen e 82-të dhe një urim të veçantë e ka marrë nga Akademia e Shkencave, ku ai është anëtar i saj, anëtar i Asamblesë dhe një nga mbështetësit e reformimit të Akademisë.
Me rastin e ditëlindjes, Kryesia e Akademisë së Shkencave i uron shëndet, mbarësi dhe vijim të sukseseve në veprimtarinë e tij shkencore e publike.
Akademik Rexhep Meidani lindi më 17 gusht të vitit 1944. Në jetën profesionale si fizikan ai ka fituar të gjitha gradat shkencore dhe titujt akademikë, nga doktorata deri te titujt “profesor” dhe “akademik”. Ai bën pjesë në atë grup ekspertësh të shkencave të sakta me formim perëndimor, të cilët u shfaqën me zotësi konkurruese cilësore në një kohë kur vendi ishte i mbyllur dhe nuk e njihte konkurrencën si faktor lëvizës të shoqërisë.
Akademik Meidani kreu shkollën e mesme dhe studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës (1966). Në të njëjtin vit u emërua pedagog në katedrën e fizikës të Universitetit të Tiranës.
Kreu studimet pasuniversitare në Francë, në Universitetin e Kanës dhe në Universitetin “Paris XI”, ku mbrojti doktoratën e ciklit të tretë në fizikën e trupave të ngurtë (1973–1976). Ndërsa në Shqipëri përgatiti edhe një doktoraturë të dytë për gradën “doktor”. Vijoi veprimtarinë mësimore e kërkimore në Universitetin e Tiranës.
Si pedagog, përgjegjës i katedrës (1986–1990, 1992–1996) dhe dekan i Fakultetit të Shkencave Natyrore (1988–1992), ka dhënë ndihmesë në zhvillimin e procesit mësimor dhe të veprimtarisë shkencore, sidomos në fushën e fizikës teorike (mekanikës kuantike, fizikës statistikore, fizikës së trupit të ngurtë etj.).
Përveç veprimtarisë shkencore e universitare, Akademik Rexhep Meidani ka pasur një rol të rëndësishëm edhe në jetën institucionale të vendit.
Në vitin 1991 ishte kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e para pluraliste. Në votimet e qershorit 1997 u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe në korrik 1997 u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 2002, në vitet e vështira të tranzicionit.
Gjatë viteve 1986–1990 ka qenë anëtar i Komitetit për Mirëkuptimin Ballkanik dhe në vitet 1994–1996, kryetar i Bordit të Qendrës Shqiptare të të Drejtave të Njeriut.
Rexhep Meidani është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2003) dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut (2015).
Mban titullin “Doctor Honoris Causa”, dhënë nga Universiteti Teknik i Stambollit, Universiteti “Aristoteli” i Selanikut, Universiteti i Sofjes, Universiteti Amerikan i Romës, Universiteti i Bridgeport-it (SHBA), Universiteti i Portsmouth-it (Angli), New York University Tirana etj.
Është anëtar dhe anëtar nderi i institucioneve e organizmave të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit, ndër të cilat mund të përmenden: Klubi i Madridit (Club of Madrid, Madrid, 2003); ICDC (Pragë, 2005); ICD (Berlin, 2011); NGIC (Baku, 2014); Bibliotheca Alexandrina (Egjipt, 2015), etj.
Rexhep Meidani është vlerësuar me “Çmimin e Republikës”, me urdhrin “Naim Frashëri”, si dhe me mjaft urdhra e medalje të dhëna nga institucione të vendeve të huaja./ad
