Ish-banori i “Ferma VIP”, Akili, ka tërhequr sërish vëmendjen e rrjeteve sociale pas një transmetimi live në TikTok, ku ka bërë deklarata të forta që kanë ngjallur debat mes ndjekësve të spektaklit.
Pas pretendimeve të mëparshme për mënyrën e menaxhimit të rrjeteve sociale të shkrimtares Mimoza Ahmeti brenda formatit, këtë herë ai ka shkuar edhe më tej, duke sugjeruar se programi mund të mos zhvillohet krejtësisht në mënyrë spontane.
Në fjalët e tij, Akili ka lënë të kuptohet se gjithçka mund të jetë e planifikuar paraprakisht, duke pohuar se ka parë materiale që, sipas tij, tregojnë rrjedhën e ngjarjeve të lojës të shkruara në formë skenari.
Ai madje ka bërë edhe një deklaratë konkrete për ecurinë e një prej konkurrenteve, duke thënë se shkrimtarja do të humbasë një sfidë dhe do të largohet nga gara pak para finales, pasi sipas tij produksioni ka nevojë për rritje të audiencës në atë fazë të spektaklit.
“Unë e di skenarin krejt. Sa i përket Mozës, Moza ka me hup në një sfidë dhe ka me dal, kanë me e nxjerr, por pak para finales se u duhet audienca. Në një copë letër e kam parë krejt se çfarë do ndodhi deri në fund” është shprehur ai gjatë live-it.
Megjithatë, këto deklarata mbeten në nivel pretendimesh të bëra në rrjetet sociale dhe nuk ka konfirmim zyrtar nga produksioni i emisionit. Mbetet për t’u parë në ditët në vijim nëse këto thënie do të gjejnë ndonjë provë konkrete apo nëse bëhet fjalë vetëm për një reagim emocional pas daljes së tij nga loja./mxh
