Autoritetet e Koresë së Jugut kanë zbuluar se dy avionë luftarakë që u përplasën në ajër në vitin 2021, ndodhi pasi pilotët po bënin fotografi dhe video, shkruan BBC.
Incidenti ndodhi ndërsa avionët ishin në një mision fluturimi në qytetin qendror të Daegu-së, sipas Bordit të Auditimit dhe Inspektimit të Seulit.
Pilotët mbijetuan pa lëndime, por përplasja dëmtoi aeroplanët, duke i kushtuar ushtrisë 880 milionë won (596,000 dollarë) në riparime.
Një nga pilotët, i cili që atëherë është larguar nga ushtria, u detyrua të paguante një gjobë prej 88 milionë won.
Incidenti ndodhi sepse ai pilot kishte dashur të bënte fotografi për të kujtuar fluturimin e tij të fundit me njësinë e tij ushtarake.
Bërja e fotografive të fluturimeve të rëndësishme ishte “një praktikë e përhapur midis pilotëve në atë kohë”, tha bordi i auditimit në një raport të publikuar të mërkurën.
Piloti kishte deklaruar qëllimin e tij për ta bërë këtë në një informim para fluturimit, sipas raportit.
Ai po fluturonte me avionin e tij dhe po ndiqte avionin kryesor gjatë misionit. Ndërsa fluturonin për në bazën e tyre, ai filloi të bënte fotografi duke përdorur telefonin e tij personal celular.
Pasi e vuri re këtë, piloti i avionit kryesor i kërkoi një piloti tjetër në aeroplanin e tij të filmonte një video të avionit tjetër.
Piloti e ngriti menjëherë avionin e tij më lart dhe e ktheu atë në mënyrë që të kapej më mirë në kamera. Kjo manovër i solli dy aeroplanët shumë afër njëri-tjetrit.
Për të shmangur një përplasje, avioni kryesor u përpoq të ulej me shpejtësi. Por dy avionët F-15K përfundimisht u përplasën, duke dëmtuar krahun e majtë të avionit kryesor dhe stabilizuesin e bishtit të avionit tjetër.
Forcat ajrore të Koresë së Jugut pezulluan pilotin e avionit, i cili që atëherë është larguar nga ushtria për të punuar për një linjë ajrore komerciale.
Më pas, forcat ajrore kërkuan ta gjobisnin pilotin e avionit me 880 milionë won për të mbuluar shumën e plotë të kostove të riparimit. Kur piloti apeloi kundër gjobës, kjo nxiti një hetim nga bordi i auditimit.
Piloti i avionit pranoi se manovra e tij e papritur çoi në përplasje, por argumentoi se piloti tjetër i avionit kryesor ishte “pajtuar në heshtje” për manovrën pasi ishte në dijeni se po zhvillohej xhirimi.
Bordi i auditimit përfundimisht vendosi që piloti i avionit duhet të paguajë vetëm një të dhjetën e asaj që kërkonin forcat ajrore.
Ai tha se forcat ajrore duhet të mbajnë një pjesë të përgjegjësisë për mosrregullimin e duhur të përdorimit personal të kamerave nga pilotët.
Bordi mori gjithashtu parasysh se piloti i avionit kishte një histori të mirë para incidentit dhe se ai kishte arritur të parandalonte dëme të mëtejshme duke urdhëruar menjëherë një kthim të sigurt të avionit të tij në bazë.
Raporti nuk përmendi nëse u ndërmor ndonjë veprim kundër pilotëve të tjerë të përfshirë në incident./mxh
