Nënkryetari i Partisë Demokratike dhe i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar pas operacionit amerikan në Venezuelë, të urdhëruar nga presidenti Donald Trump, që çoi në kapjen e presidentit Nicolás Maduro.
Në reagimin e tij, Gjekmarkaj thekson se ngjarjet e sotme tregojnë se demokracia dhe liria mbrohen me vendime të forta, dhe regjime si ai i Maduros, që ushqehen nga kartelet e drogës dhe varfërojnë popullin, janë të destinuara të përballen me pasojat.
“Qeverisja ekziston për t’i dhënë dinjitet qytetarëve, jo për të ndërtuar mite personale pushteti. Kur pushteti kthehet në mjet shtypjeje, rënia e tij është vetëm çështje kohe”, shkruan Gjekmarkaj. Ai shton se sinjali nga SHBA-ja është i qartë për të gjithë: demokracia nuk mund të mbahet peng nga krimi, pavarësisht heshtjes së atyre që sot zgjedhin të mos flasin.
Deputeti i PD-së gjithashtu paralajmëron se aleancat me krimin nuk sjellin stabilitet, por shkatërrim. “Çdo regjim që zgjedh të mbijetojë duke shtypur zërin e lirë dhe duke u mbështetur te droga dhe korrupsioni, herët a vonë përballet me realitetin. Koha e pandëshkueshmërisë po mbyllet dhe përgjegjësia është e pashmangshme, sado vonë të vijë”, përfundon Gjekmarkaj./mxh
