Një incident shqetësues ka ndodhur në rezidencën luksoze të Nicki Minaj në Los Angeles, pasi policia ndërhyri për të ndaluar një person që kishte hyrë pa leje në pronën e saj.
Sipas raportimeve të TMZ, autoritetet morën një telefonatë në orët e para të mëngjesit, ku u njoftuan për praninë e një individi të paautorizuar në oborrin e vilës. Kamerat e sigurisë kanë kapur një burrë duke lëvizur në pjesën e pasme të pronës.
Burime zyrtare bëjnë me dije se i dyshuari u arrestua menjëherë në vendngjarje, ndërsa Nicki Minaj nuk ndodhej në banesë në momentin e incidentit.
Ende nuk dihen detaje të plota mbi mënyrën se si personi arriti të depërtojë në pronë, apo nëse do të përballet me akuza të tjera përveç hyrjes së paautorizuar.
Ky rast vjen në një periudhë kur incidente të ngjashme që përfshijnë personazhe të njohur janë bërë më të shpeshta. Vetëm disa javë më parë, edhe shtëpia e Rihanna në Beverly Hills u bë objekt i një sulmi me armë, fatmirësisht pa pasoja në njerëz./mxh
