Last Updated on 10/11/2026 by Anisa
Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit (IPQ) ka ngritur alarmin për fatin e sasive të qumështit të papërpunuar që refuzohen nga fabrikat pasi nuk përmbushin standardet e sigurisë ushqimore. Përmes një reagimi publik, shoqata u bën thirrje autoriteteve të gjurmojnë çdo sasi qumështi që u kthehet furnizuesve, për të garantuar se ai nuk përfundon sërish në treg apo në proces përpunimi përmes kanaleve të tjera.
Sipas IPQ-së, fabrikat anëtare kryejnë analiza të detajuara për çdo ngarkesë qumështi që pranojnë. Kontrollet përfshijnë praninë e aflatoksinës M1, mbetjet e antibiotikëve, numrin e qelizave somatike dhe ngarkesën mikrobike. Nëse një nga këta tregues rezulton jashtë kufijve të lejuar, qumështi refuzohet dhe i kthehet furnizuesit.
Por pikërisht pas këtij momenti lind shqetësimi i industrisë. Shoqata thotë se nuk ka informacion se çfarë ndodh me qumështin e refuzuar pasi largohet nga fabrikat dhe kërkon që institucionet përgjegjëse të verifikojnë destinacionin e tij.
“IPQ shpreh shqetësimin se ku përfundon qumështi i refuzuar pas kthimit. U kërkojmë autoriteteve përgjegjëse të gjurmojnë këtë sasi dhe të verifikojnë si administrohet, për të parandaluar që qumështi jashtë kritereve të shitet për konsum ose të përfundojë në përpunim përmes kanaleve të tjera”, thuhet në reagimin e shoqatës.
Shoqata sqaron se kërkesa nuk bazohet në raste të dokumentuara të tregtimit të qumështit të refuzuar, por synon të parandalojë çdo mundësi që produkte jashtë standardeve të rikthehen në zinxhirin ushqimor.
Një nga parametrat më të rëndësishëm që kontrollohet është aflatoksina M1, një substancë që mund të kalojë në qumësht kur kafshët ushqehen me foragjere të kontaminuara. Gjithashtu, analizohen mbetjet e antibiotikëve, të cilat mund të jenë të pranishme nëse nuk respektohen periudhat e pritjes pas trajtimit të kafshëve, si dhe tregues të tjerë që lidhen me higjienën dhe cilësinë e qumështit.
IPQ thekson se, paralelisht me kontrollet, bashkëpunon me fermerët për të përmirësuar kushtet e prodhimit, duke u fokusuar te ruajtja e ushqimit për blegtorinë, higjiena gjatë mjeljes, kontrolli i shëndetit të kafshëve dhe ftohja e shpejtë e qumështit.
Sipas shoqatës, garantimi i standardeve të sigurisë ushqimore është thelbësor jo vetëm për mbrojtjen e konsumatorëve shqiptarë, por edhe për rritjen e konkurrueshmërisë së industrisë dhe afrimin e saj me standardet e Bashkimit Europian. /Ekofin.al-ad
