Algjeria njoftoi të enjten ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Emiratet e Bashkuara Arabe, pas disa vitesh tensione gjatë të cilave Algjeri ka akuzuar rregullisht Abu Dhabin për ndërhyrje. Algjeria e mori këtë vendim “pasi kishte shteruar të gjitha mjetet e mundshme për të ruajtur marrëdhëniet dypalëshe”, njoftoi televizioni publik.
Presidenti algjerian Abdelmadjid Tebboune akuzon rregullisht Emiratet për veprime destabilizuese në disa vende të rajonit. “Kudo që ata shkelin, gjaku derdhet”, deklaroi së fundmi gjatë një interviste televizive, duke i cilësuar Emiratet si një “shtet i vogël” me “ndikim shumë negativ”.
“Gjithçka që Algjeria dëshiron është që ky shtet të largohet, në mënyrë që gjaku të mos derdhet tek ne”, shtoi ai.
Ai kishte sqaruar se një ndërprerje diplomatike do të kishte ndodhur prej kohësh, nëse nuk do të ishte vullneti i Algjerit për të mos thelluar ndarjet mes vendeve arabe./mxh
