Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka reaguar pas vendimit të sotëm ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes.
Në reagimin e tij, Ahmeti bëri thirrje për maturi dhe unitet, duke theksuar se nuk duhet të lejohet krijimi i tensioneve, përçarjeve apo njollosja e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
Sipas tij, UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj shtypjes dhe luftoi për lirinë e Kosovës. Ahmeti rikujtoi gjithashtu se pretendimet e dikurshme për trafikim organesh, që rënduan për vite mbi UÇK-në dhe drejtuesit e saj, nuk u shndërruan në akuza në këtë proces.
Ai theksoi se Gjykata i shpalli të pafajshëm të akuzuarit për krime kundër njerëzimit dhe se në vendimin e saj potencoi se UÇK-ja kishte pasur si objektiv pavarësinë e Kosovës, e cila u arrit.
Ahmeti u shpreh se edhe akuzat e tjera do të kundërshtohen në procesin e mëtejshëm gjyqësor, duke besuar se ato do të rrëzohen në Apel.
“Procesi nuk përfundon këtu. Besojmë se mbrojtja do ta vazhdojë betejën juridike në Gjykatën e Apelit, duke kundërshtuar gjetjet e shkallës së parë dhe duke kërkuar drejtësi deri në fund”, deklaroi ai.
Në përfundim, Ahmeti theksoi se lufta e UÇK-së ishte luftë për liri dhe se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet.
“Me besim në drejtësi, beteja vazhdon në apel!”, përfundoi reagimin e tij Ali Ahmeti.
Reagimi i plotë:
Vendimi i sotëm ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit është një vendim që e konsideroj të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes.
Në këto momente të rënda, bëj thirrje për maturi dhe unitet. Nuk duhet të biem në asnjë grackë që synon të krijojë tensione, përçarje apo të njollosë luftën çlirimtare të popullit në Kosovë.
UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj shtypjes dhe luftoi për lirinë e Kosovës. Pretendimet e dikurshme për trafikim organesh, që rënduan për vite mbi UÇK-në dhe drejtuesit e saj, nuk u shndërruan në akuza në këtë proces. Po ashtu, sot Gjykata i shpalli të pafajshëm të akuzuarit për krime kundër njerëzimit; dhe potencoi se UÇK kishte pasur objektiv pavarësine e Kosovës, objektiv ky që edhe u arrit. Këto janë fakte që duhet të kujtohen sa herë që dikush përpiqet ta paraqesë UÇK-në si ndërmarrje kriminale.
Aktakuza i ngarkonte Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin me përgjegjësi për një sërë krimesh të pretenduara gjatë viteve 1998-1999. Besojmë se edhe këto akuza do të rrëzohen në procesin e mëtejshëm gjyqësor, ashtu siç nuk u materializuan pretendimet e dikurshme për trafikim organesh.
Procesi nuk përfundon këtu. Besojmë se mbrojtja do ta vazhdojë betejën juridike në Gjykatën e Apelit, duke kundërshtuar gjetjet e shkallës së parë dhe duke kërkuar drejtësi deri në fund.
Lufta e UÇK-së ishte luftë për liri. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe sakrifica e një populli të tërë nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve.
Me besim në drejtësi, beteja vazhdon në apel!/ad