Last Updated on 28/02/2026 by EL
Partia Demokratike zhvilloi sot protestën e radhës, por këtë herë me një skenar të ndryshëm nga tubimet e mëparshme.
Ndryshe nga zakonisht, nuk u mbajt asnjë fjalim para Kryeministrisë. Protestuesit fillimisht u mblodhën para selisë së PD-së dhe, nën drejtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, marshuan drejt godinës së Kryeministrisë.
Gjatë marshimit, turma u ndal para vilës historike të ish-diktatorit Enver Hoxha ku papritur disa nga protestuesit hodhën breshëri molotovësh dhe fishekzjarresh drejt vilës. Ndërkohë, brenda në objekt ka pasur persona, një detaj ky i cili u kishte “shpëtuar” demokratëve dhe nuk e morën parasysh para se të fillonin sulmin e tyre.
Pamjet e tregojnë qartë lëvizjet e personave brenda ndërtesës, ndërkohë që protestuesit nuk ndalën sulmin, deri në ndërhyrjen e policisë të cilët i sprapsën duke përdorur gazlotjellës dhe autobotin me ujë.
Në të njëjtën kohë, forcat e zjarrfikëses mbërritën në vendngjarje për të shuar flakët dhe për të nxjerrë jashtë personat që ndodheshin brenda vilës. Ndryshe nga sa raportuam më herët, se në vilë ndodheshin dy persona, burime për mediat bëjnë me dije se në ambientet brenda ndodheshin më shumë se dy shtetas amerikanë. Ata janë nxjerrë jashtë dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë që lideri i të djathtëve, Sali Berisha pas këtyre tensioneve u largua. Ai hipi në automjetin e tij, dhe sipas asaj që u mësua ish-kryeministri u drejtua drejt selisë blu./et
