Last Updated on 19/08/2025 by adminfjala
Pas samitit të Ukrainës, progresi drejt një marrëveshjeje paqësore është i kufizuar. Por evropianët kanë arritur një qëllim: Me një front të bashkuar, ata po i kundërvihen Trumpit dhe Putinit.
Në Shtëpinë e Bardhë janë arritur disa përparime, ndonëse akoma nuk mund të flitet për arritjen e armëpushimit dhe paqes në Ukrainë. Tani Putini duhet të deklarohet nëse është për paqe apo vazhdimin e luftimeve dhe nëse është i gatshëm për bisedimet me Ukrainën. Kështu u shprehën shumica e pjesëmarrësve të takimeve me presidentin Donald Trump.
Presidenti Trump priti në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenski, i cili ishte e shoqëruar edhe nga presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, si dhe krerët e Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Finlandës.
Përshëndetjet e përzemërta
Takimet në Shtëpinë e Bardhë ishin shumë më miqësore sesa herën e kaluar, kur Trumpi pak a shumë largoi Zelenskin nga Shtëpia e Bardhë. Trump në fillim vlerësoi kostumin e thjeshtë të zi të Zelenskit e më pas filluan bisedimet më serioze dhe paraqitja konstruktive dhe shumë e kujdesshme para gazetarëve.
Merz: Asnjë bisedë për lëshimet territoriale
Atmosfera ishte e mirë por progresi në përmbajtje duket i kufizuar. Pjesëmarrësit diskutuan shumë çështje të ndryshme, kritike. Sipas vëzhguesve, Trump dhe Zelenskyy thuhet se kanë shqyrtuar edhe hartat, ndoshta për të diskutuar vijën e frontit. Megjithatë, sipas Kancelarit Merz, lëshimet territoriale nuk u diskutuan si temë e veçantë.
Lëshimet nuk duhet t’i imponohen në asnjë rrethanë Ukrainës, theksoi ai në një konferencë për shtyp më vonë. Territori i pretenduar nga Rusia është afërsisht sa madhësia e Floridës, krahasoi kreu i qeverisë gjermane, për të ilustruar gjendjen.
Garancitë e sigurisë janë thelbësore
Një temë qendrore ishin të ashtuquajturat garanci sigurie. Këto mund të jenë të ngjashme me klauzolën e ndihmës së ndërsjellë të Nenit 5 të NATO-s, që nënkupton ndërhyrjen e të gjitha shteteve anëtare në rast të ndonjë sulmi nga jashtë.
Garancitë janë thelbësore për Zelenskin dhe duhet të jenë të besueshme për të penguar Moskën nga sulme të mëtejshme pas një marrëveshjeje të mundshme. m.p.
