Last Updated on 19/11/2026 by EL
Dekorimi dhe ambienti ku u zhvillua takimi trepalësh mes presidentit rus, Vladimir Putin, atij kinez, Xi Jinping, dhe presidentit amerikan, Donald Trump, në Shenzhen, mbartën elemente të veçanta simbolike, të lidhura me traditën kineze, etikën diplomatike dhe rregullat e protokollit.
Bisedimet u zhvilluan në ambientet e Qilin Shanzhuang, i njohur edhe si Vila Qilin, në margjinat e samitit të APEC-ut. Vendi mban emrin e “njëbrirëshit kinez”, një krijesë mitike që në traditën kineze simbolizon jetëgjatësinë dhe prosperitetin.
Në qendër të tryezës ku u ulën tre liderët u vendos një aranzhim i madh me orkide rozë dhe lule të tjera. Sipas Tatiana Baranovës, eksperte e etiketës dhe protokollit, e cila foli për agjencinë ruse të lajmeve RIA Novosti, zgjedhja e luleve nuk ishte e rastësishme.
Ajo shpjegoi se në Kinë orkidetë simbolizojnë mirësinë, harmoninë dhe respektin. Ndërkohë, aranzhimi u mbajt në lartësi të ulët, në mënyrë që të mos pengonte kontaktin vizual mes bashkëbiseduesve, në përputhje me rregullat e protokollit diplomatik.
Edhe arredimi i dhomës u mendua për të krijuar një atmosferë të qetë dhe mikpritëse. Sipas Baranovës, hapësira karakterizohej nga ngjyra të buta, ndërsa murali monumental dhe karriget në harmoni me njëra-tjetrën kontribuuan në këtë estetikë, pa elemente me kënde të mprehta./et
