Vetëm tre vite më parë, marrëdhëniet SHBA–Arabia Saudite dukeshin të tronditura. Presidenti Joe Biden kishte premtuar ta kthente Mohammed bin Salman në një “paria” dhe madje kishte vënë nën shqyrtim edhe shitjet e armëve për aleatin e rëndësishëm të Amerikës në Lindjen e Mesme.
Por këtë javë, në një skenë që shënon një kthesë dramatike, princi i kurorës saudite hyri në Zyrën Ovale dhe u prit nga një administratë krejt tjetër. Presidenti Donald Trump jo vetëm që e mbrojti fuqishëm, por edhe qortoi një reportere për “turpërim të mysafirit” kur ajo ngriti çështjen e vrasjes së gazetarit të Washington Post, Jamal Khashoggi.
Përtej gjesteve politike, njoftimet e administratës zbuluan thelbin: rehabilitimin e plotë të figurës së bin Salman në Washington dhe gatishmërinë e Trump për të lënë pas incidentin e Khashoggit, duke forcuar marrëdhëniet me një mbretëri që ka premtuar investime gati një trilion dollarë në SHBA dhe ka lidhje të drejtpërdrejta biznesi me familjen e tij.
Sipas CNN, vizita theksoi edhe ndikimin gjithnjë në rritje të bin Salman dhe aftësinë e tij për të shfrytëzuar rivalitetet mes fuqive të mëdha. Fitorja e tij më e madhe ishte bindja e administratës Trump të hiqte dorë nga kushti i normalizimit të plotë me Izraelin, një kërkesë që kishte bllokuar marrëveshjet amerikano-saudite gjatë administratës Biden.
Ndryshe nga kërkesa e mëparshme e Uashingtonit që çdo marrëveshje e madhe të lëvizte paralelisht me normalizimin saudito–izraelit dhe një rrugë drejt shtetit palestinez, administrata Trump duket se i ka shkëputur këto elemente, duke i ofruar Rijadit gati gjithçka kishte kërkuar në fushën e mbrojtjes dhe ekonomisë.
Këtë javë SHBA e shpalli Arabinë Saudite “Alepse Kryesor jo-anëtar të NATO-s”, avancoi planet për shitjen e avionëve F-35 dhe nënshkroi një Marrëveshje të Re Strategjike të Mbrojtjes. Në ekonominë saudite që po përpiqet të largohet nga varësia nga nafta, dy vendet nisën një kornizë bashkëpunimi në inteligjencën artificiale, përfshirë miratimin e shitjes së çipeve të avancuara, nënshkruan një marrëveshje për mineralet kritike dhe hapën rrugën për bashkëpunim të zgjeruar në energjinë bërthamore.
Trump gjithashtu u angazhua të mbështeste përpjekjet saudite për t’i dhënë fund luftës civile në Sudan – një tjetër prioritet rajonal i princit të kurorës.
I ulur në Zyrën Ovale, bin Salman e përshkroi këtë moment si historik për të dy vendet.
“Sot është një moment shumë i rëndësishëm në historinë tonë,” u shpreh ai, i ulur pranë Trump./ MXH
