Last Updated on 20/11/2026 by Anisa
Deborah Keçi ka thyer heshtjen dhe ka folur për herë të parë për përfshirjen në çështjen 5D, duke dhënë versionin për akuzat dhe duke kundërshtuar mënyrën se si është paraqitur publikisht çështja e saj. E ftuar në podcastin FitStation, ish-drejtoresha e Klubit Sportiv Tirana është shprehur se nuk është penduar që është kthyer në Shqipëri dhe ka kontribuar në transformimin e institucionit që drejtoi për tetë vite.
Keçi u shpreh se ndihet krenare për punën e bërë në klubin bardheblu, duke theksuar se rezultatet e arritura në sport janë treguesi më i mirë i kontributit të saj. Sipas saj, gjatë tre viteve të fundit të drejtimit të klubit janë fituar po aq kupa dhe trofe sa në 30 vitet e mëparshme të historisë së tij.
Ajo pranoi se njerëzit mund të bëjnë gabime, por u shpreh se një gabim i vetëm nuk duhet të fshijë tetë vite punë dhe përkushtim.
“Nuk jam penduar që jam kthyer dhe kam kontribuar. E vetmja gjë që kam kuptuar është se sa shpejt harrohet e mira. Në këtë vend, edhe pse jep kontribut dhe bën ndryshime të jashtëzakonshme, gjithçka mund të harrohet. Nuk kam turp të them se në punën që kam bërë kam bërë revolucion dhe e kam transformuar institucionin që kam drejtuar. Ky është fakt dhe fati im është që sporti matet me rezultate. Nuk është se them vetë që kam bërë punë të mirë, por punën time me klubin e Tiranës e tregojnë kupat dhe trofetë e fituar në tre vitet e fundit, aq sa janë marrë në 30 vitet e fundit të historisë së klubit bardheblu. Për këtë jam shumë krenare. Njeriu gabon, por për një gabim të vogël të harrohet kontributi që ke dhënë për tetë vite punë, të cilat i kam bërë me pasion, është e vështirë”, u shpreh Keçi.
Më tej, ajo foli edhe për akuzat në kuadër të dosjes 5D, duke u ndalur te mënyra se si është raportuar çështja e saj në media. Keçi tha se ka pritur gjatë për të folur publikisht dhe se nuk ka dashur të japë intervista, ndërsa iu drejtua gazetarëve duke kërkuar që të lexojnë dosjen dhe të shohin konkretisht se për çfarë akuzohet.
Sipas saj, në publik është krijuar perceptimi se ajo ka kryer korrupsion, vjedhje apo abuzime, ndërkohë që pretendon se akuza ndaj saj lidhet me pabarazinë në një procedurë tenderimi. Ajo pranoi se e ka kryer këtë shkelje dhe se ka marrë dënimin përkatës, por këmbënguli se nuk ka pasur qëllim përfitimin personal apo favorizimin e kompanisë në fjalë.
“Kam pritur shumë gjatë për të folur për këtë temë dhe nuk kam dashur të jap intervista. Këtë pyetje ua drejtoj të gjithë gazetarëve, veçanërisht gazetarëve profesionistë që marrin dosjen dhe e lexojnë atë. Do të doja shumë që secili gazetar të hapte dosjen time dhe të shikonte për çfarë akuze bëhet fjalë. Sepse unë jam paraqitur sikur kam bërë korrupsion, kam vjedhur apo kam abuzuar, ndërkohë që kam një akuzë për pabarazi në tender. Po, e kam bërë dhe kam marrë dënimin që meritoj, por pabarazia në tender nuk është bërë për të përfituar askush, as unë dhe as kompania në fjalë. Quhet pabarazi, por në gjykimin tim ishte një tender që ajo kompani i ka bërë Klubit të Tiranës, duke qenë se vlera e tenderit ishte minimale. Po flasim për 3.4 milionë lekë”, deklaroi Deborah Keçi.
Ajo këmbënguli se dëshiron që çështja e saj të gjykohet mbi bazën e asaj që thuhet në dosjen hetimore dhe jo mbi perceptimin e krijuar në publik, duke theksuar se nuk dëshiron që kontributi i saj shumëvjeçar në drejtimin e Klubit Sportiv Tirana të fshihet për shkak të kësaj çështjeje./ad
