Last Updated on 28/04/2026 by Anisa
Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimmarrjen e Shkallës së Parë për deklarimin e pafajshëm të ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, lidhur me akuzën e ngritur nga SPAK për fshehje pasurie.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli të martën më 28 prill vendimin për lënien në fuqi të vendimmarrjes së Shkallës së Parë të korrikut të vitit të kaluar, për shpalljen e pafajshëm të ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, për akuzën e fshehjes së pasurisë. Vendimi u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga Engert Pëllumbi dhe anëtarë gjyqtarët Igerta Hysi e Dhimitër Lara.
Në tetor të vitit 2022, Prokuroria e Posaçme dërgoi për gjykim çështjen ndaj Selimit për veprën penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
SPAK pretendoi se Selimi kishte pasuri të paluajtshme të pajustifikuara me burime të ligjshme.
Gjykimi i kësaj çështjeje u zhvillua në Shkallën e Parë për rreth dy vjet e gjysmë me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Gjatë seancave u debatua, ndër të tjera, edhe mbi dy akt-ekspertime të pasurisë së ish-gjyqtarit, ku në njërin ai rezultonte me bilanc pozitiv dhe në tjetrin me bilanc negativ. Analiza financiare e kryer më herët nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për Selimin u cilësua nga SPAK si e palidhur me procesin penal. Nga ana tjetër, Selimi i kundërshtoi akuzat dhe kërkoi pafajësi.
Në përfundim, gjykata çmoi se nuk u arrit të provohej se ekzistonte fakti penal, i pretenduar prej SPAK.
Shkëlzen Selimi punoi për dy dekada në sistemin e drejtësisë, përpara se të shkarkohej në vitin 2018 nga vetingu për fshehjen e kontakteve me persona të përfshirë në krim të organizuar. Edhe bashkëshortja e tij, ish-gjyqtarja e Apelit Administrativ, Rilinda Selimi, u shkarkua nga Kolegji për shkak të kontakteve të papërshtatshme, megjithëse shumica e trupit gjykues nuk konstatoi probleme për pasurinë e saj.
