Një takim krejt rastësor gjatë Kampionatit Botëror rezultoi të ishte fillimi i një historie dashurie për Arbër Zekën dhe Gresa Bakraqit. Çifti ka ndarë së fundmi në emisionin “Ftesë në 5” momentet e para të njohjes, duke zbuluar se si nisi gjithçka mes tyre.
Ishte Arbëri ai që hodhi hapin e parë. Në atë periudhë, ai moderonte aktivitetet në Fan Zone, ku merrnin pjesë emra të njohur nga fusha të ndryshme. Mes personazheve të ftuar ishte edhe Gresa, të cilën e njihte për arritjet e saj sportive, por me të cilën nuk ishte takuar më parë personalisht.
Gjatë bisedës, Arbëri zbuloi se që në fillim kishte vënë re diçka të veçantë te sportistja. Madje, kur mësoi se ajo ishte nga Peja, kjo përputhej edhe me një dëshirë që kishte pasur prej kohësh për partneren e tij të ardhshme.
Ai nuk humbi kohë për t’i kërkuar numrin e telefonit, ndonëse Gresa nuk ishte shumë e gatshme në fillim. Pasi arriti ta merrte, Arbëri e kontaktoi menjëherë në WhatsApp, sapo përfundoi aktiviteti.
Por fitimi i numrit ishte vetëm hapi i parë. Për ta bindur Gresën të dilnin bashkë, iu desh të këmbëngulte jo pak.
“Insistova gjithmonë për ta takuar. Mezi pranoi, duke ditur angazhimet e shumta që kishte. Takohemi dhe nga ajo ditë nuk jemi ndarë. Çdo ditë takohemi, nëse nuk takohemi, është sepse ajo është në ndonjë garë”, tregoi Arbëri.
Nga ana e saj, Gresa pranoi se një lidhje dashurie nuk ishte aspak pjesë e planeve të saj në atë kohë. Sportistja jetonte prej dy vitesh në Madrid dhe kishte vendosur që përparësi absolute t’i jepte karrierës, me synimin për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Los Angeles.
Ajo tregoi se ftesën në Fan Zone fillimisht e kishte konsideruar si një mundësi për të folur rreth rezultateve të saj sportive, pasi sapo kishte fituar dy medalje ballkanike brenda 24 orëve. Për më tepër, kalendari i saj ishte i mbushur me angazhime dhe aktivitete të ndryshme.
Gresa rrëfeu se qasja e Arbërit ishte krejt ndryshe nga ajo që priste. Ndërsa vetë preferonte që njohja të zhvillohej gradualisht dhe pa nxitim, ai ishte shumë më spontan, i vendosur dhe i drejtpërdrejtë.
Sportistja theksoi se për të ka qenë e rëndësishme të gjente një partner që kupton ritmin e jetës së saj dhe angazhimet e vazhdueshme në gara ndërkombëtare. Sipas saj, jo gjithmonë është e lehtë të gjesh mirëkuptim për një femër që ka një karrierë sportive kaq intensive.
Megjithatë, mes tyre duket se gjithçka gjeti vendin e vet. Gresa vlerësoi veçanërisht sinqeritetin, transparencën dhe mirëkuptimin që kanë ndërtuar që në fillim të marrëdhënies.
Duke kujtuar takimin e tyre të parë romantik, ajo e përshkroi darkën e parë si fantastike, ndërsa pranoi se momentet që po përjetojnë së bashku janë edhe më të bukura./mxh
