Ariana Grande i ka dhënë fund turneut të saj “Eternal Sunshine” me një seri koncertesh në Londër, duke e kthyer O2 Arena në skenën e një prej momenteve më emocionuese të këtij kapitulli të karrierës së saj.
Këngëtarja ka nisur një rezidencë prej 10 netësh në kryeqytetin britanik, ku ka sjellë një spektakël të konceptuar si një produksion kinematografik. Skena ndryshonte vazhdimisht gjatë performancës, nga një shtëpi e rrënuar te skena me një helikopter policie, ndërsa videot shoqëruese krijonin lidhje me universin e “The Wizard of Oz” dhe eksperiencën e saj në “Wicked”.
Repertori i mbrëmjes u përqendrua kryesisht te albumi “Eternal Sunshine”, i publikuar në vitin 2024, por nuk munguan as këngët më të dashura të fansave, mes tyre “Into You”, “Thank U, Next” dhe “7 Rings”. Grande përfshiu gjithashtu materiale nga projekti i saj më i fundit, “Petal”, ndërsa një nga surprizat e mbrëmjes ishte interpretimi i “Rain On Me”, hiti i saj me Lady Gaga.
Në përfundim të koncertit, artistja iu drejtua publikut londinez me një mesazh të ndjerë. Ajo i falënderoi fansat për mbështetjen dhe deklaroi se ata kishin qenë “padyshim më të zhurmshmit” gjatë gjithë turneut.
Këto 10 mbrëmje në Londër shënojnë ndalesën përfundimtare të “Eternal Sunshine Tour”, por njëkohësisht edhe fillimin e një periudhe të re për këngëtaren.
Pas përfundimit të koncerteve, Grande pritet të marrë një pauzë nga angazhimet publike. Ajo ka bërë të ditur se dëshiron të largohet përkohësisht nga skena publike, një vendim që, sipas saj, është menduar gjatë dhe nuk është marrë në mënyrë të nxituar.
Në të njëjtën periudhë, Ariana Grande është tërhequr edhe nga produksioni londinez i “Sunday in the Park With George”, duke zgjedhur t’i japë përparësi kësaj pauze pas një periudhe të ngarkuar artistike./mxh
