Ngadalësimi i shkrirjes së akullit në Arktik, i vërejtur gjatë dy dekadave të fundit, duket se ka marrë fund. Një studim i ri tregon se nga viti 2024 në 2025 është regjistruar tkurrja më e madhe vjetore e akullit detar dimëror që nga fillimi i matjeve satelitore, duke sinjalizuar rikthimin e një prirjeje shqetësuese të lidhur me ngrohjen globale.
Një analizë e publikuar vitin e kaluar kishte treguar se, mes viteve 2005 dhe 2024, sipërfaqja e akullit detar në Arktik nuk kishte pësuar një rënie statistikisht të rëndësishme. Ky zhvillim u konsiderua i pazakontë, pasi temperaturat globale gjatë së njëjtës periudhë vijuan të rriteshin.
Sipas studiuesve, kjo pauzë u ndikua nga ndryshimet natyrore në qarkullimin e oqeaneve, të cilat për një periudhë të kufizuar zbutën efektet e ngrohjes së klimës. Megjithatë, ata kishin paralajmëruar se ky fenomen nuk do të zgjaste dhe se humbja e akullit do të rifillonte.
Të dhënat më të fundit satelitore e konfirmojnë këtë parashikim. Shkencëtarët thonë se periudha 2005–2024 nuk përfaqësonte një ndryshim të qëndrueshëm, por vetëm një ndërprerje të përkohshme brenda një tendence afatgjatë të tkurrjes së akullit.
Autori kryesor i studimit, Dr. Duo Chan nga Universiteti i Southamptonit, shpjegon se ajo që në fillim të viteve 2020 u interpretua si një stabilizim i situatës, në fakt ishte vetëm një ngadalësim i përkohshëm i procesit të shkrirjes.
Studimi rikujton gjithashtu se sipërfaqja e akullit detar në muajin shtator, kur arrin minimumin e saj vjetor, është zvogëluar me rreth 50% krahasuar me vitin 1979, kur nisën vëzhgimet satelitore.
Rezultatet më të fundit tregojnë se nga viti 2024 në 2025, akulli dimëror në Arktik u tkurr me 5.8%, duke vendosur rekordin për rënien më të madhe nga një vit në tjetrin në historinë e matjeve.
Edhe bashkautori i studimit, Dr. Alessandro Silvano, e cilësoi këtë zhvillim si të pazakontë, por të pritshëm në një rajon që po përjeton rritje të vazhdueshme të temperaturave.
Shkencëtarët theksojnë se akulli dimëror ka një rol kyç në ekuilibrin klimatik, pasi vepron si një shtresë izoluese mes oqeanit dhe atmosferës. Reduktimi i tij lejon çlirimin e më shumë nxehtësisë dhe lagështisë në ajër, duke ndikuar në formimin e stuhive, modelet atmosferike dhe qarkullimin e masave ajrore.
Pasojat nuk kufizohen vetëm në Arktik. Ndryshimet në këtë rajon mund të ndikojnë në kushtet e motit edhe në zona shumë të largëta të planetit.
Sipas Dr. Chan, nivelet jashtëzakonisht të ulëta të akullit gjatë viteve 2025 dhe 2026 tregojnë qartë se humbja e akullit në Arktik nuk është ndalur, por po përshpejtohet në një botë që vazhdon të ngrohet./mxh
