Përçarja brenda familjes Beckham duket se është larg fundit. Pas ceremonisë ku David Beckham u nderua me një yll në Hollywood Walk of Fame, motra e vogël e Brooklyn, Harper Beckham, u fotografua teksa mbërrinte në shtëpinë e tij në Beverly Hills për t’i lënë një letër.
Megjithatë, sipas përfaqësuesve të Brooklyn Beckham dhe bashkëshortes së tij, Nicola Peltz, gjesti nuk ishte aq spontan sa u paraqit në media. Në një deklaratë të fortë për shtyp, ata pretenduan se vizita ishte organizuar për show.
“Fakti që fotografët ishin aty në momentin kur letra u dorëzua tregon gjithçka. Ishte një skenë e kuruar për kamerat”, u shpreh përfaqësuesi i çiftit.
Harper, 14 vjeç, mbërriti në pronën e vëllait të saj pak orë pasi kishte marrë pjesë në ceremoninë e nderimit të David Beckham, ku ishte e shoqëruar nga nëna e saj Victoria Beckham dhe vëllezërit Romeo dhe Cruz. Mungesa e Brooklyn në këtë ngjarje të rëndësishme familjare u vu re menjëherë.
Në të njëjtën kohë, Brooklyn publikoi në rrjetet sociale foto që tregonin se ndodhej në New York, duke marrë pjesë në një festival kulinarie, gjë që shpjegon pse nuk ishte në shtëpi kur Harper shkoi për ta takuar.
Pavarësisht tensioneve, gjatë fjalimit të tij emocionues në ceremoninë e Hollywood Walk of Fame, David Beckham falënderoi publikisht të katër fëmijët e tij.
“Fëmijët e mi janë arsyeja pse zgjohem çdo mëngjes”, tha ai, duke shtuar se shpreson që një ditë ata t’i sjellin nipërit e mbesat pranë yllit të tij në Hollywood.
Marrëdhënia mes Brooklyn dhe familjes së tij është përkeqësuar ndjeshëm muajt e fundit. Në janar, ai deklaroi publikisht se nuk dëshironte kompromis, duke këmbëngulur se po “qëndronte për herë të parë në jetën e tij në mbrojtje të vetes”.
Ai ka pretenduar gjithashtu se familja e tij ka ndërhyrë vazhdimisht në marrëdhënien me Nicola Peltz dhe ka akuzuar prindërit se kanë ndikuar në mënyrën se si historia e tyre është paraqitur në publik. Një nga episodet më të komentuara mbetet edhe pretendimi se Victoria Beckham u tërhoq në momentin e fundit nga realizimi i fustanit të nusërisë së Nicola-s, duke e detyruar atë të zgjidhte një stilist tjetër./mxh
