Last Updated on 13/10/2026 by EL
Ish-prokurori Eugen Beci ka komentuar protestën e zhvilluar sot nga studentët para Ministrisë së Arsimit. I ftuar në Euroneës, ai u shpreh se situata nuk mund të zgjidhet përmes forcave të policisë, pasi sipas tij, bëhet fjalë për një krizë politike, sociale dhe ekonomike, dhe jo thjesht për një çështje të rendit publik.
Ish prokurori theksoi se përdorimi i forcave të posaçme të policisë apo i gazit lotsjellës nuk do të zgjidhë problemin, por rrezikon të shtojë tensionet dhe të çojë drejt radikalizimit të situatës.
“Ky është iluzioni i zgjidhjes së rendit publik. Nuk ka zgjidhje të rendit publik. Situata social-politike dhe social-ekonomike vetëm do ta rrisë tensionin dhe do ta shtyjë zgjidhjen. Nuk ka zgjidhje me policët e Shqiponjave apo të RENEA-s. Edhe sikur të sjellin gjithë magazinën e gazit lotsjellës, nuk ka lidhje me atë pjesë. Çështja qëndron te mënyra se si duhet të zgjidhim një konflikt thelbësor social dhe ekonomik. Është një krizë politike, jo krizë e rendit publik”, deklaroi Beci.
Sipas ish-prokurorit, për sa kohë që nuk kuptohet natyra e vërtetë e krizës, nuk mund të diskutohet nëse policia ka ndërhyrë me forcë të tepruar apo jo. Ai paralajmëroi se mungesa e dialogut dhe polarizimi i situatës mund të thellojnë më tej konfliktin.
“Derisa të kuptohet kjo, nuk mund t’i thuash policit nëse godite fort apo dobët. Këto do të sjellin vetëm radikalizimin. Dialogu është mbyllur, situata është polarizuar dhe nuk zgjidhet përmes rendit publik”, u shpreh Beci./et
