Last Updated on 06/04/2026 by Anisa
Aktorja Mariana Kondi ka ndarë një rrëfim plot humor në podcastin e Grida Duma, duke kujtuar një episod të veçantë me aktorin e ndjerë Metë Bega.
“Meti ishte një aktor që vdiste populli pas tij… sa dilte, qeshnin të gjithë”, tha Kondi, duke kujtuar energjinë që ai sillte kudo.
Ajo tregoi se gjatë një udhëtimi në Padova, organizatorët kishin krijuar një keqkuptim, duke menduar se ata ishin çift. “Na pritën në aeroport dhe na thanë do flini në shtëpinë tonë… kur shkojmë, më kishin vënë në një dhomë me Metin”, rrëfeu ajo.
E gjendur në një situatë të sikletshme, aktorja u përpoq të reagojë: “I thashë, Meti po ku do flemë? Këta janë budallenj fare…”
Më pas, nata mori një kthesë komike. “Meti kapi një divan, unë një kolltuk… nuk më zinte gjumi. Ai filloi të gëriste dhe unë mora jastëkun dhe i gjuajta”, tregoi Kondi.
Zhurma bëri që të zotët e shtëpisë të ndërhynin: “Çfarë keni?… Po ju keni një jetë bashkë dhe s’jeni mësuar”?
Reagimi i Metë Begës zbuloi gjithçka: “Çfarë jete? Ku jemi ne burrë e grua”?
“Unë shpërtheva në të qeshura”, tha Kondi, duke shtuar se situata u sqarua vetëm në mëngjes, kur të zotët e shtëpisë kuptuan keqkuptimin dhe u përpoqën ta kompensonin me mikpritje.
Një histori që, sipas saj, tregon jo vetëm humorin e situatës, por edhe natyrën spontane të një prej aktorëve më të dashur për publikun shqiptar.
Aktorja ka ndarë edhe një rrëfim të fortë personal, duke folur hapur për raportin me të atin dhe figurën që ajo e konsideron realisht “baba”.
“Unë mendoj që njeriun kush e rrit, ai është baba”, tha Kondi, duke shtuar se për të vendin kryesor e ka pasur gjithmonë e ëma.
Ajo tregoi edhe takimin me të atin pas 50 vitesh, një moment që nuk solli emocionin e pritur: “Kur e takon dhe nuk ndjen… nuk ndjen”.
Në të kundërt, ajo vlerëson figurën e njeriut që e rriti: “Ishte ai që më sillte kafen, më fliste për librat, për jetën… ai ishte baba për mua.”
Biseda u ndal edhe te nëna e saj, e cila nuk krijoi më një lidhje tjetër: “Asnjëherë. Sa gabim… por ishte koha”, Sipas Kondit, ishte mentaliteti ai që e detyroi të zgjidhte fëmijët mbi jetën personale.
“Kur ju shikoj ju mirë, kjo është mrekulli për mua”, kujtoi ajo fjalët e nënës, duke mbyllur një rrëfim që flet për mungesë, sakrificë dhe zgjedhje që nuk ishin gjithmonë të lira.
