Last Updated on 23/09/2025 by adminfjala
Sipas një hetimi të publikuar nga prestigjiozja New York Times, Errol Musk, babai i miliarderit të njohur Elon Musk, është përballur në të kaluarën me akuza për abuzim seksual ndaj pesë fëmijëve të tij, biologjikë dhe të adoptuar.
Artikulli, i cili citon burime të shumta si letra personale, email-e dhe intervista me anëtarë të familjes, ngre pikëpyetje serioze për të kaluarën e 79-vjeçarit, i cili është babai i të paktën nëntë fëmijëve dhe ka qenë i martuar me tre gra të ndryshme.
Rasti më i hershëm daton në vitin 1993, kur vajza e tij e adoptuar, vetëm 4 vjeç në atë kohë, i rrëfeu të afërmve se ishte prekur në mënyrë të papërshtatshme nga ai. Dhjetë vite më vonë, e njëjta vajzë e akuzoi sërish se e kishte kapur duke nuhatur të brendshmet e saj. Të tjera akuza kanë ardhur edhe nga anëtarë të tjerë të familjes.
Këto pretendime çuan në nisjen e tre hetimeve të ndara, bazuar në dëshmi familjare dhe raporte të policisë. Dy prej hetimeve u mbyllën pa rezultate, ndërsa fati i çështjes së tretë mbetet i paqartë.
Errol Musk i mohoi të gjitha akuzat, duke deklaruar për New York Times:
“Nuk ka asnjë provë, sepse të gjitha këto janë marrëzi. Janë raporte të rreme.”
Ai akuzon disa të afërm se “kanë shtyrë fëmijët të trillojnë gënjeshtra.”
Elon Musk, nga ana e tij, ka folur rrallë për të atin. Në një intervistë për Rolling Stone në vitin 2017, ai e përshkroi marrëdhënien me të si shumë të vështirë dhe tha:
“Ai ka bërë pothuajse çdo gjë të keqe që mund të imagjinohet.”
Kur ishte 10 vjeç, Elon vendosi të jetonte me të atin, ndërsa vëllai dhe motra e tij, Kimbal dhe Tosca, qëndruan me të ëmën.
“E mëshiroja babanë tim sepse mamaja na kishte ne të tre. Ai dukej i trishtuar dhe i vetmuar. Mendova se mund t’i bëja shoqëri… Nuk e kisha kuptuar ende çfarë njeriu ishte. Nuk ishte aspak një ide e mirë.”/e.t
