Bad Bunny ka hyrë në historinë e Super Bowl me një nga performancat më të ndjekura ndonjëherë në këtë event ikonik sportiv dhe muzikor. Sipas të dhënave të bëra publike nga NFL, Roc Nation dhe Apple Music, spektakli i tij ka grumbulluar plot 4.157 miliardë shikime në mbarë botën.
Këto shifra përfshijnë audiencën televizive, transmetimet online, klikimet në YouTube si dhe ndërveprimet në rrjetet sociale. Vetëm gjatë transmetimit live të Super Bowl, performanca e artistit portorikan u ndoq nga 128.2 milionë shikues.
Me këtë rezultat, Bad Bunny renditet ndër artistët me ndikimin më të madh në historinë e skenës së Super Bowl, duke u pozicionuar menjëherë pas Kendrick Lamar, i cili vitin e kaluar arriti 133.4 milionë shikues gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, sipas raportimeve të Rolling Stone.
Performanca e tij u vlerësua gjerësisht për energjinë shpërthyese, produksionin spektakolar dhe elementët vizualë mbresëlënës, duke forcuar edhe më tej statusin e tij si një prej figurave më dominuese në industrinë globale të muzikës.
Pas suksesit në Super Bowl, Bad Bunny ka vijuar menjëherë me axhendën e tij ndërkombëtare, duke çelur fazën e re të turneut botëror “DeBÍ TiRAR MáS FOToS”. Ai ka performuar tashmë në Sydney, ndërsa më 7 mars do të ngjitet në skenë në Tokio. Koncertet në Evropë pritet të nisin në fund të muajit maj, me turneun që do të vijojë deri në fund të korrikut./mxh
