Grupi Balfin, në pronësi të miliarderit shqiptar Samir Mane, po investon me prona shtesë edhe në Gjermani.
Pas blerjes së dyqanit të madh “Tietz” në Mynih, tani duket se në radhë janë dy dyqane të tjera të rrjetit “Galeria”, në Hanover dhe në Bon.
Sipas detajeve nga media gjermane “Immobilien Zietung”, Balfin ka siguruar dy pronat e “Galeria”-s në Hanover dhe Bon, por jo atë në Manhajm. Shitja e kësaj të fundit, sipas raportimeve, është ende në pritje.
Elementi i përbashkët që lidh të tria ndërtesat, si dhe arsyeja e lançimit të përbashkët në treg, me gjasë qëndron te kreditori i të tria pronave: Helaba.
Sipas burimeve të tregut, Helaba thuhet se ishte e gatshme të pranonte ulje të konsiderueshme çmimi për shitjen e dyqaneve të mëdha në Hanover dhe Bon dhe kjo situatë ekzistonte që prej më shumë se një viti.
Në atë kohë, Grupi Balfin kishte shprehur tashmë interes, të paktën për pronën në Hanover, dhe oferta thuhet se ishte “shumë më e ulët se vlera e kredisë së Helaba-s”, sipas burimeve të tregut.
Në pranverë, dy pronat vlerësoheshin ende përkatësisht me 124 milionë dhe 94 milionë euro, sipas IZ Research. Kështu, në atë kohë, vlera e tyre e kombinuar ishte ende rreth 220 milionë euro.
Në fakt, këto tri dyqane të mëdha konsiderohen si disa nga vendndodhjet më të mira të Galerias./mxh
