Banka gjermane Commerzbank ka njoftuar planin për të shkurtuar rreth 3,000 vende pune, në kuadër të një strategjie për rritjen e fitimeve dhe forcimin e pozicionit të saj në treg.
Vendimi vjen në një periudhë përballjeje me bankën italiane UniCredit, e cila ka shfaqur interes për një blerje të mundshme të institucionit financiar gjerman. Për muaj me radhë, të dyja palët janë përfshirë në një përplasje strategjike mbi të ardhmen e Commerzbank.
Sipas analistëve, menaxhmenti i bankës ndodhet në një situatë të vështirë, pasi nga njëra anë kërkohet rritja e eficiencës dhe fitimit, ndërsa nga ana tjetër kjo e bën bankën më tërheqëse për ofertat e blerjes.
Kompania italiane UniCredit ka ndërmarrë këtë javë një ofertë zyrtare për blerje në vlerën rreth 37 miliardë euro, një nivel që Commerzbank e ka cilësuar nën vlerën e tregut dhe me rreziqe të larta zbatimi.
Banka gjermane ka kritikuar gjithashtu planin e UniCredit, duke e konsideruar të paqartë dhe të bazuar në narrativa që, sipas saj, dëmtojnë reputacionin e institucionit.
Shkurtimeve të fundit i shtohen edhe reduktimet e mëparshme të stafit, duke e çuar në mijëra numrin e vendeve të punës të eliminuara në vitet e fundit, në kuadër të ristrukturimit të vazhdueshëm të bankës./mxh
