Banorët e lagjes historike Lukianivka në Kiev jetojnë prej vitesh nën kërcënimin e vazhdueshëm të sulmeve ruse. Goditjet janë bërë aq të shpeshta, sa banorët bëjnë një shaka të hidhur, duke thënë se duhet të pajisen me dokumente shërbimi ushtarak, sikur të jetonin në vijën e parë të frontit.
Edhe agjenti i pasurive të paluajtshme, Dmytro Zhekov, nuk e fsheh realitetin përpara klientëve që kërkojnë të marrin një banesë me qira në zonë. Ai u tregon fillimisht avantazhet e lagjes, qira më të përballueshme, afërsi me qendrën e Kievit, lidhje të mira me metronë dhe ndërtesa historike, por nuk harron t’i paralajmërojë për rrezikun.
“Që në fillim u them se kjo është një zonë e rrezikshme dhe goditet rregullisht. Nëse janë dakord me këtë, atëherë vazhdojmë të shohim apartamentin”, thotë ai.
Lukianivka është një nga zonat më të goditura të kryeqytetit ukrainas, pasi aty ndodhet një uzinë armësh e periudhës sovjetike, e cila konsiderohet një nga objektivat kryesore të ushtrisë ruse. Përballë saj ndodhet stacioni i metrosë Lukianivka, i cili është goditur të paktën tetë herë gjatë luftës dhe shërben gjithashtu si strehë për banorët gjatë alarmit ajror.
Gjurmët e luftës janë të dukshme kudo. Krateret e shpërthimeve janë bërë pjesë e përditshmërisë, ndërsa bizneset vazhdojnë të funksionojnë pranë ndërtesave të shkatërruara. Parukeritë presin klientë në godina të dëmtuara nga predhat, teatrot kanë zhvendosur shfaqjet në ambiente nëntokësore dhe banorët zgjedhin të rindërtojnë shtëpitë e tyre në vend që të largohen.
Pas çdo sulmi, rutina përsëritet: xhamat e thyer pastrohen, dritaret e shkatërruara mbulohen dhe njerëzit përpiqen t’i rikthehen jetës normale. Edhe pas sulmeve të fundit me raketa ruse të dielën, banorët nisën sërish të riparonin dëmet.
“Pas çdo sulmi ec përgjatë rrugës kryesore dhe më duket sikur po shoh një plagë që zmadhohet gjithnjë e më shumë”, shprehet banori Vladyslav Darmohrai, duke përshkruar jetën në një lagje ku frika është bërë pjesë e përditshmërisë./mxh
