Turistët që vizitojnë Barcelona do të paguajnë deri në 15 euro për natë, pasi autoritetet vendore vendosën të rrisin ndjeshëm taksën turistike, në përpjekje për të frenuar mbingarkesën dhe për të financuar strehimin e përballueshëm.
Parlamenti rajonal i Catalonia miratoi një ligj që dyfishon taksën për klientët e hoteleve në Barcelonë duke nisur nga prilli. Aktualisht, turistët paguajnë nga 5 deri në 7.5 euro për natë, në varësi të kategorisë së hotelit, ndërsa me ndryshimet e reja tarifa do të variojë nga 10 deri në 15 euro.
Një qëndrim dy-netësh për një çift në një hotel me katër yje mund të kushtojë deri në 45.60 euro shtesë, pasi autoritetet lokale mund të aplikojnë deri në 11.4 euro për person, për natë. Ndërsa për hotelet me pesë yje, tarifa mund të arrijë në 15 euro për natë. Pasagjerët e kroçerave do të vazhdojnë të paguajnë rreth 6 euro.
Masa ka shkaktuar reagime të ndryshme nga turistët pranë bazilikës së njohur Sagrada Família. Disa e mbështesin vendimin, duke thënë se mund të ndihmojë në uljen e mbipopullimit dhe përmirësimin e shërbimeve publike, ndërsa të tjerë shprehen se kostot më të larta mund t’i bëjnë të rishqyrtojnë vizitat e ardhshme.
Autoritetet në Katalonjë po përballen me protesta në rritje nga banorët, të cilët akuzojnë fluksin e lartë të turistëve për rritjen e çmimeve të banesave, për shkak të shtimit të qirave afatshkurtra.
Sipas ligjit të ri, një e katërta e të ardhurave nga taksa do të përdoret për të adresuar krizën e strehimit në qytet.
Barcelona ka njoftuar gjithashtu plane për të ndaluar plotësisht akomodimet me qira afatshkurtër deri në vitin 2028. Aktualisht, turistët që zgjedhin këto forma akomodimi do të paguajnë deri në 12.5 euro për natë, nga 6.25 euro që paguajnë sot.
Para rritjes së taksës, Barcelona renditej e 11-ta në listën e vitit 2025 të platformës Holidu për tarifat turistike në Evropë, ndërsa qyteti me taksën më të lartë ishte Amsterdami./mxh
