Last Updated on 28/10/2026 by Monika
Çmimet e produkteve ushqimore në nivel global pritet të rriten me 18% gjatë periudhës 2025-2027, sipas parashikimeve të Bankës Botërore.
Rritja pritet të ndikohet nga vështirësitë në furnizim për shkak të konflikteve dhe efektet e mundshme të një fenomeni të jashtëzakonshëm El Niño gjatë këtij dimri.
Në raportin e publikuar të mërkurën mbi perspektivën e tregjeve të lëndëve të para, Banka Botërore parashikon gjithashtu që çmimet e energjisë të rriten me 32% gjatë këtij viti, përpara se të shënojnë një rënie të pjesshme në vitin 2027.
Rritja e çmimeve të energjisë lidhet kryesisht me konfliktin në Lindjen e Mesme, i cili ka ndikuar drejtpërdrejt në tregun e naftës.
Sipas parashikimeve, çmimi mesatar i një fuçie nafte Brent pritet të rritet nga 69 dollarë në vitin 2025 në 91 dollarë gjatë vitit 2026.
Megjithatë, institucioni financiar ndërkombëtar parashikon që çmimi i naftës Brent të zbresë në një mesatare prej 79 dollarësh për fuçi në vitin 2027, me kusht që konflikti i nisur në shkurt nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kundër Iranit të mos rifillojë pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të planifikuara për 3 nëntor.
Në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit, çmimi mesatar i naftës Brent mund të arrijë në 105 dollarë për fuçi në vitin 2027.
Një skenar i tillë do të shkaktonte një rritje shtesë prej 12% të çmimeve të produkteve ushqimore, krahasuar me skenarin bazë.
“Tregu i lëndëve të para është goditur njëkohësisht nga disa goditje të mëdha”, deklaroi Ayhan Kose, zëvendëskryeekonomisti i Bankës Botërore, duke paralajmëruar për pasojat e mundshme, përfshirë rreziqet për sigurinë ushqimore.
Ai theksoi se përparësi duhet t’i jepet mbrojtjes së shtresave më të varfra të popullsisë dhe mbështetjes së vendeve me të ardhura të ulëta, të cilat përballen tashmë me barrën e rëndë të borxhit.
Rritja e çmimeve të energjisë pritet të ndikojë edhe në konsumin global të naftës. Sipas Bankës Botërore, kërkesa botërore për naftë parashikohet të bjerë me 2,5% këtë vit, duke kompensuar pjesërisht rënien prej 5,2% të furnizimeve me naftë, e cila përbën tkurrjen më të madhe në 40 vitet e fundit, me përjashtim të vitit 2020.
Rënia e kërkesës renditet ndër më të mëdhatë e regjistruara, pas asaj të vitit 2020, si pasojë e pandemisë COVID-19, dhe rënies së vitit 1980, e lidhur ndër të tjera me krizën e pengjeve në Iran në fund të vitit 1979, e cila shkaktoi një rritje të fortë të çmimeve të naftës.
Përveç energjisë dhe ushqimeve, Banka Botërore parashikon rritje edhe për shumicën e lëndëve të tjera të para. Çmimet e plehrave kimike pritet të rriten me 14% gjatë vitit 2026, përpara se të rikthehen në vitin 2027 në nivelet e vitit 2025.
Ndërkohë, çmimet e metaleve parashikohet të rriten me 25% gjatë vitit 2026, duke arritur nivele rekord për disa prej tyre, përfshirë aluminin, bakrin dhe kallajin.
Kjo prirje lidhet kryesisht me rritjen e kërkesës për shkak të zhvillimit të energjive të rinovueshme, zgjerimit të qendrave të të dhënave për inteligjencën artificiale dhe rritjes së përdorimit të automjeteve elektrike./mxh
