Ukraina mori sot një këst shtesë prej 1,24 miliardë eurosh (1,39 miliardë dollarë) nga Bashkimi Evropian, pasi Rusia ndërmori një sulm të madh të kombinuar ndaj Ukrainës, duke përdorur raketa balistike, raketa të tipit ”cruise” dhe dronë luftarakë.
“Rusia po vijon strategjinë e saj të qëllimshme të terrorit, duke u përpjekur ta bëjë jetën e përditshme të ukrainasve të padurueshme”, deklaroi në një komunikatë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ukraina raportoi shumë viktima, dhjetëra të plagosur dhe dëme të mëdha pas sulmit të fundit.
“Mbështetja e sotme do të ndihmojë në forcimin e industrisë ukrainase të mbrojtjes dhe të aftësisë së Ukrainës për të mbrojtur veten, njerëzit dhe infrastrukturën”, tha ajo.
Sipas Komisionit Evropian, fondet do të përdoren për të financuar sisteme për interceptimin e dronëve, municione kundër dronëve dhe raketa të prodhuara nga kompanitë ukrainase.
Financimi është pjesë e huasë prej 90 miliardë eurosh të BE-së për mbështetjen e Kievit gjatë viteve 2026 dhe 2027.
Komisioni tha se këste të tjera pritet të disbursohen në javët e ardhshme./Mxh
