Vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të humbasin afatin e vitit 2030 për përfundimin e rrjetit kryesor europian të transportit në rajon, për shkak të vonesave në zbatim dhe vështirësive operative, sipas një raporti të ri të Gjykatës Evropiane të Auditorëve.
Progresi është ngadalësuar nga përzgjedhja e papjekur e projekteve dhe mangësitë në mbikëqyrje. Edhe pse projektet e audituara përputheshin me prioritetet e lidhjes rajonale, monitorimi, raportimi dhe dukshmëria e mbështetjes së BE-së mbeten të pamjaftueshme, ndërsa vonesat dhe problemet e qëndrueshmërisë vazhdojnë.
Vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – janë në qendër të politikës së zgjerimit të BE-së. BE mbështet sektorët e transportit, energjisë dhe fusha të tjera përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, një platformë për përgatitjen, përzgjedhjen dhe financimin e projekteve strategjike.
Nga viti 2015 deri në mesin e vitit 2025, Komisioni pagoi 527 milionë euro për projekte transporti, si kontribuuesi kryesor i kësaj platforme. Synimi është të adresojë prapambetjen infrastrukturore në rajon dhe ta lidhë atë me rrjetin kryesor evropian të transportit.
“Në kuadër të zgjerimit të BE-së, infrastruktura e zhvilluar mirë është një hap drejt përmbushjes së kritereve të anëtarësimit. Projektet e transportit në Ballkanin Perëndimor po ecin shumë ngadalë për ta lidhur rajonin me BE-në brenda kësaj dekade”, tha Laima Andrikienė, anëtare e ECA-së përgjegjëse për raportin.
“Komisioni duhet të përmirësojë përzgjedhjen, monitorimin dhe qëndrueshmërinë e projekteve, si dhe të rrisë dukshmërinë e projekteve të transportit të financuara nga BE në rajon.”
Auditorët gjetën dobësi në përzgjedhjen e projekteve, veçanërisht lidhur me gatishmërinë e tyre për zbatim, gjë që ka sjellë vonesa të konsiderueshme. Një projekt konsiderohet i gatshëm për zbatim kur puna përgatitore është përfunduar dhe është e përditësuar. Megjithatë, projektet zakonisht nisnin me 17 muaj vonesë, ndërsa shumë prej tyre patën vonesa mbi dy vjet gjatë zbatimit.
Komisioni Europian ka pak mundësi për të garantuar zbatimin në kohë të projekteve, pasi nuk disponon procedura efektive për monitorimin e vonesave dhe për të siguruar qëndrueshmërinë dhe dukshmërinë e mbështetjes së BE-së. Për shembull, ai nuk mblodhi të dhëna për shkallën e përfundimit të korridoreve të transportit që financonte, apo nëse rrjetet e transportit përmbushnin standardet e BE-së.
Komisioni u mbështet te institucionet financiare për mbikëqyrjen e projekteve, edhe pse puna e tyre në disa raste rezultoi e pamjaftueshme. Si pasojë, në disa raste u transferuan fonde që tejkalonin progresin real të projekteve.
Auditorët vunë re gjithashtu se në disa raste grantet e WBIF-it nuk ishin të domosdoshme për sigurimin e financimit, pasi kontratat e huave ishin nënshkruar përpara paraqitjes së kërkesave për grant. Kjo krijoi atë që raporti e quan “efekt peshë e vdekur”, pasi investimet do të ishin realizuar edhe pa mbështetjen e grantit. Po ashtu, shumica e vlerësimeve të kostove në aplikimet për grante nuk kishin detaje të mjaftueshme për të vlerësuar nëse ishin të arsyeshme.
Auditorët ngritën pikëpyetje edhe për qëndrueshmërinë e disa projekteve, për shkak të mungesës së fondeve për vazhdimin e investimeve dhe mirëmbajtjes së pamjaftueshme. Në një projekt, gjendja e hekurudhës në kohën e auditimit ishte më e keqe se para nisjes së punimeve. Në një tjetër, një tunel nuk kishte lidhje me rrugën, ndërsa në një projekt të tretë, linja hekurudhore përfundonte në kufi.
Në përfundim, raporti vlerëson se WBIF ka ndihmuar në zgjerimin e rrjetit kryesor evropian të transportit dhe ka mbështetur nisjen e shumë projekteve që përputhen me prioritetet e lidhjes së Ballkanit Perëndimor me BE-në. Megjithatë, të dhënat tregojnë se progresi për përmbushjen e plotë të standardeve të rrjetit evropian deri në vitin 2030 mbetet i ngadaltë./ European Court of Auditors-a.d
