Po rikthehet një debat që kishte nisur me pritshmëri të mëdha, por që më pas u bllokua për shkak të pengesave në disa vende të BE-së dhe burokracisë europiane. Tani është hapur një raund i ri diskutimesh për t’i dhënë fund përfundimisht ndryshimit të orës dy herë në vit në shtetet anëtare të Bashkimit Europian.
Pavarësisht vështirësive që ishin shfaqur më parë, çështja u rikthye në vëmendje në seancën plenare të Parlamentit Europian në tetor 2025.
Edhe pse nuk u vendos një afat i detyrueshëm, fakti që të gjitha grupet politike ranë dakord se ndryshimi i orës duhet të hiqet, u konsiderua një shenjë pozitive. Studimet më të fundit tregojnë se kursimi i energjisë nga kjo praktikë është pothuajse zero, ndërsa ndikimet në shëndet vazhdojnë të jenë të pranishme.
Kjo nismë rikthen një proces që nisi me shumë shpresa, por që u bllokua nga mosmarrëveshjet mes vendeve anëtare dhe vonesat institucionale. Gjithçka fillon në verën e vitit 2018, kur Komisioni Europian zhvilloi një konsultim publik me pjesëmarrje të jashtëzakonshme. Mbi 4.6 milionë qytetarë të BE-së morën pjesë, dhe 84% e tyre u shprehën pro heqjes së ndryshimit të orës, duke theksuar efektet negative në shëndet dhe mungesën e kursimit real të energjisë.
Pas këtij reagimi, presidenti i atëhershëm i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, propozoi në shtator 2018 hartimin e një direktive të re. Në mars 2019, Parlamenti Europian e miratoi me shumicë të gjerë, duke propozuar vitin 2021 si afatin përfundimtar të ndryshimit. Shtetet anëtare do të kishin lirinë të zgjidhnin nëse do të mbanin përgjithmonë orën verore apo atë dimërore.
Megjithatë, procesi ngeci në Këshillin e BE-së. Shtetet nuk arritën marrëveshje, pasi u frikësuan se mund të krijohej një “mozaik” i zonave kohore brenda Evropës, gjë që do të komplikonte tregun e përbashkët dhe transportin. Më vonë, pandemia COVID-19 në vitin 2020 e zhvendosi plotësisht këtë çështje nga prioritetet politike.
Një nga pengesat më të mëdha mbetet qëndrimi i Irlandës. Pas Brexit-it, vendi frikësohet se heqja e ndryshimit të orës mund të krijojë një ndarje kohore me Irlandën e Veriut, nëse Mbretëria e Bashkuar ruan sistemin aktual. Kjo do të nënkuptonte që i gjithë ishulli të ketë dy orare të ndryshme për gjashtë muaj në vit – një skenar që Dublini e konsideron të papranueshëm, për shkak të pasojave ekonomike dhe politike.
Një masë që nuk i shërben më askujt
Heqja e ndryshimit të orës dy herë në vit po rikthehet si prioritet i Komisionit Europian, sepse është një praktikë e panevojshme që nuk shërben më për asgjë. Ka të dhëna që tregon se ndikon negativisht në shëndet, krijon vështirësi në transport dhe në jetën e përditshme të qytetarëve, si dhe sjell pengesa në ekonomi, ndërsa kursimi i energjisë është praktikisht i papërfillshëm./ad
