Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, duke vendosur masa kufizuese ndaj 30 personave dhe dy entiteteve ruse të dyshuara për përfshirje në fushata dezinformimi, manipulim informacioni dhe sulme kibernetike.
Në listën e re përfshihen Social Design Agency (SDA), e lidhur me administratën presidenciale ruse, dhe grupi i hakerave “NoName057(16)”.
Masat prekin gjithashtu blogerë dhe figura televizive ruse.
Paralelisht, Komisioni Evropian ka deklaruar gatishmërinë për të pritur negociata shumëpalëshe për përfundimin e luftës në Ukrainë, duke mos përjashtuar as pjesëmarrjen e një delegacioni rus.
Zëdhënësja e Komisionit, Paula Pinho, konfirmoi se Brukseli është i hapur për këtë mundësi, megjithëse ende nuk është përcaktuar vendi ku mund të zhvillohen bisedimet.
Në një tjetër zhvillim të rëndësishëm, Këshilli i BE-së ka miratuar një ndihmë të re financiare prej afro 8 miliardë eurosh për Kievin, në kuadër të programit “Ukraine Facility”.
Kjo është pagesa më e madhe e vetme që është dhënë përmes këtij mekanizmi.
Me këtë këst, mbështetja totale e Ukrainës përmes programit që nga viti 2024 kalon 40 miliardë euro. Financimi lidhet me përmbushjen e reformave në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe sektorin energjetik.
Ndërkohë, brenda Bashkimit Evropian po zhvillohen diskutime për mënyrën se si do të përfaqësohet Evropa në negociatat e mundshme me Moskën.
Spanja ka kërkuar të përfshihet në tryezën e bisedimeve.
Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, ka theksuar se asnjë vendim për sigurinë evropiane dhe të ardhmen e Ukrainës nuk duhet të merret pa pjesëmarrjen e vendit të tij.
Edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, kërkon që çdo proces negociues të synojë fillimisht një armëpushim dhe ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës civile.
Në frontin ushtarak, autoritetet ruse kanë raportuar një sulm ukrainas ndaj urës së Krimesë, duke njoftuar ndërprerjen e përkohshme të qarkullimit.
Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se gjatë natës ka rrëzuar 1 336 dronë ukrainas në disa rajone të vendit, një shifër që nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.
Nga ana tjetër, Shtabi i Përgjithshëm ukrainas njoftoi se Rusia kishte lëshuar të paktën 158 dronë gjatë natës, nga të cilët 131 ishin neutralizuar nga mbrojtja ajrore.
Zhvillimet e fundit tregojnë se BE-ja po ndjek një strategji të dyfishtë ndaj Rusisë: forcimin e presionit ekonomik dhe politik, ndërkohë që përgatitet për një rol më aktiv diplomatik në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë./mxh
