Edicioni i 5 i Big Brother VIP Albania po i afrohet finales me gjithnjë e më shumë surpriza, dhe këtë herë në qendër të vëmendjes është një tjetër dasmë që pritet të zhvillohet brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri.
Pas ceremonisë së shumëpërfolur të Gimbos me Selin, produksioni ka vendosur të sjellë edhe një tjetër moment romantik për banorët, këtë herë për çiftin Brikena dhe Mateo, të cilët janë konsideruar ndër më të komentuarit dhe më të pëlqyerit nga publiku gjatë këtij edicioni.
Sipas një zarfi që ka mbërritur sot në shtëpi, banorët janë njoftuar se do të kenë një dasmë tjetër brenda mureve të shtëpisë dhe se përgatitjet duhet të nisin menjëherë. Në mesazhin e lexuar nga Selin, Vëllai i Madh i jep çiftit mundësinë të kurorëzojnë lidhjen e tyre brenda shtëpisë, duke i lënë vetëm pak orë kohë për organizim.
Zarfi i lexuar në shtëpi thotë:
“Pas një propozimi nga Mateo ku Brikena tha ‘po’, Vëllai i Madh ju jep mundësinë të organizoni dasmën e dytë të këtij edicioni. Dasma do të jetë sonte në mbrëmje. Keni pak orë në dispozicion për të shpërndarë ftesat dhe për të bërë kërkesat tuaja, më pas për gjithçka tjetër do të kujdeset Vëllai i Madh. Shijojeni!”
Ky zhvillim pritet të sjellë emocione të forta brenda shtëpisë, por edhe reagime të shumta nga publiku, i cili po ndjek me interes marrëdhënien mes Brikenës dhe Mateos dhe mënyrën se si ajo do të kurorëzohet në një dasmë brenda lojës./mxh
