Last Updated on 10/03/2026 by Anisa
Gjykata e Lartë ka nisur procedurën për ndryshimin e pjesshëm të një prej praktikave të njësuara më të rëndësishme në fushën penale, që lidhet me Vendimin Unifikues nr. 7 të datës 14 tetor 2011 mbi masat e sigurimit personal. Ky vendim ka shërbyer për më shumë se një dekadë si udhërrëfyes kryesor për gjykatat në interpretimin dhe zbatimin e masave të sigurimit personal në procesin penal.
Procedura është iniciuar nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili synon të sigurojë një praktikë gjyqësore më të njëtrajtshme dhe në përputhje me standardet kushtetuese, legjislacionin shqiptar dhe ato të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ky është edhe ushtrimi i parë i kompetencës së Kryetarit të Gjykatës së Lartë sipas nenit 438 të Kodit të Procedurës Penale, për të kërkuar ndryshimin e pjesshëm të një praktike të njësuar të Kolegjeve të Bashkuara.
Nisma ka ngjallur reagime në opinion publik. Belind Këlliçi e ka cilësuar këtë iniciativë si shqetësuese, duke vënë në dukje se ajo ngre dyshime për momentin dhe qëllimin real të saj. Sipas tij, në vend që drejtësia të forcojë luftën kundër korrupsionit — që ai e quan “gangrena më e madhe e vendit” — po tentohet të hapet një debat për dobësimin e një prej instrumenteve më të rëndësishme kundër abuzimit me pushtetin dhe prishjes së provave.
Reagimi i Këlliçit thekson edhe se nisma vjen nga një figurë që lidhet me politikën, duke nënkuptuar afërsinë e Sokol Sadushit me Erion Veliaj, dhe e paraqet atë si një nga “komunistët e fundit në sistemin e drejtësisë”. Ai shton se kur drejtësia dhe politika shfaqen kaq pranë njëra-tjetrës, çdo vendim i tillë rrit dyshimin se sistemi po ndryshohet për t’i shërbyer pushtetit dhe korrupsionit, jo qytetarëve.
Seanca publike për shqyrtimin e kësaj çështjeje është caktuar të zhvillohet më 9 prill 2026, në orën 09:30, në Gjykatën e Lartë./A.D
