Berati vijon të tërheqë një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj, të cilët zgjedhin të njohin nga afër trashëgiminë kulturore, arkitekturën karakteristike dhe mikpritjen e qytetit.
Lagjja Kala mbetet destinacioni më i kërkuar, ndërsa guidat turistike raportojnë grupe të shumta dhe rezervime që shtrihen deri në fillim të nëntorit.
“Zakonisht kemi shumë francezë, polakë, hungarezë, kemi italianë. Javët e fundit ka pasur shumë nga Europa Lindore”
“Muaji qershor ka pasur, vazhdon që të ketë prurje, por parashikohet që gjatë muajit korrik dhe muajit gusht në vazhdim shtatori, tetori deri në fillim të nëntorit, numri i këtyre grupeve do të jetë akoma më në rritje duke e parë nga rezervimet që ne kemi”, thanë përfaqësuesit e guidave turistike.
Bizneset dhe operatorët turistikë e cilësojnë këtë një nga sezonet më të ngarkuara, me kapacitete akomoduese thuajse të plota. Për të përballuar fluksin, Bashkia e Beratit ka kufizuar hyrjen e automjeteve në Kala dhe ka vënë në funksion tre autobusë elektrikë për transportin e vizitorëve.
“Ne kemi vendosur sistemin smart parking në kalanë e qytetit ku kemi bërë të mundur reduktimin e hyrjes së automjeteve për kalanë e qytetit duke bërë të mundur vetëm hyrjen e mjeteve për rezident dhe për bizneset”, tha Etleva Dhima, nënkryetare e bashkisë Berat.
Sipas burimeve të bashkisë, pas afro një milion vizitorëve vitin e kaluar, këtë sezon pritet të kapërcehet shifra prej 1.2 milionë turistësh, ndërsa krahas turizmit kulturor po rritet edhe interesi për natyrën dhe turizmin e aventurës./kb
