Last Updated on 14/11/2025 by Monika
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar sot pas deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha lidhur me mosparaqitjen e tij sot në Prokurorinë e Posaçme.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla shkruan se ky veprim i justifikuar pas mosdërgimit të fletëthirrjes është një turp jo vetëm për kryedemokratin, por edhe pjesën tjetër në PD.
“Thënia e mençur se “gënjeshtari, frikacaku dhe i keqi nuk fshihen dot gjatë — e vërteta i zbulon vetë”, i shkon fiks këtij bufit. Drejtësia (Prokuroria e Posaçme) i paska çuar njoftimin tek shtëpia, “rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf”. Gjithashtu ia paska dërguar njoftimin në dy vendet e punës, sekretaria e Grupit dhe Partisë “refuzon të marrë njoftimin”. Çfarë turpi, për këtë dhe ata që e rrethojnë, të cilët për çdo rast tjetër mezi presin të tundin njoftimet e të tjerëve. Një gjë është e qartë se falë vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, hetimi i vrasjeve të 21 Janarit është testi i së vërtetës për drejtësinë shqiptare. Koha kur Policia nuk zbatonte urdhërat e Prokurorisë nuk do të kthehet më kurrë. Ajo kohë ka perënduar bashkë me vdekjen politike të katranit me bojë”,-shkruan Balla.
