Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë organizon ekspozitën ‘Koleksioni i Biblave’, me qëllim pasqyrimin e një sërë dorëshkrimesh të trashëguara që shumë pak janë të njohura.
Në ekspozitë do të prezantojë për audiencën disa pasuri të trashëguara ndër shekuj, ku përfshihen një numër i madh Biblash, disa syresh mjaft të rralla, të shtypura në Itali, Francë, Gjermani, Holandë, Greqi e të tjera, gjatë një periudhe që shkon nga mesi i shekullit XV deri në atë të XIX.
Pjesa e dytë e ekspozitës i kushtohet historikut të përkthimit të Shkrimeve të Shenjta në shqip. Ajo nis me librat e Buzukut, Bogdanit dhe Budit, dëshmitë e para të shqipes së shkruar, në të cilat gjen të përkthyera në shqip pjesë nga Bibla.
Më tej vazhdohet me përpjekjet e dekadave të para të shekullit të XIX për ta sjellë Biblën në shqip falë punës së madhe të bërë nga Shoqëria Biblike Angleze, nëpërmjet një sërë figurash të shquara të emancipimit tonë kombëtar, si Vangjel Meksi, Konstandin Kristoforidhi, Gjerasim Qiriazi, për të vazhduar më tej në kohë me Fan Nolin, apo përkthime si ai i Dom Simon Filipajt dhe të tjerë autorë./ K.M
