Vërshimi i fundit i dokudramave duket se sugjeron se kushdo që është në sy të publikut duhet të presë një shkallë ndërhyrjeje në jetën e tij. Por ku përfundon kjo?
Simon Xhenkins*
A ishte vërtet ai Peter Mandelson që po hipte në një makinë policie të hënën? A ishte vërtet i njëjti Mandelson që gjoja po bëhej gati të arratisej drejt Ishujve të Virgjër Britanikë, njeriu i quajtur “tradhtar” i vendit të tij dhe mik i një trafikanti seksual vajzash? A do të merrej ai në pyetje për nëntë orë nga policia për “sjellje të pahijshme në detyrë publike”, një shkelje për të cilën pak njerëz kanë dëgjuar ndonjëherë? Për një çast mendova se duhej të ishte traileri i një dokudrame të re për Epsteinin, “e frymëzuar nga ngjarje reale”.
Prej dy muajsh, redaksitë në të dy anët e Atlantikut po krehin dosjet Epstein, duke publikuar çdo ditë detaje sensacionale. Kjo histori e vetme – tashmë disa vjeçare – po shtyp shumë të tjera. Emri i Xhefri Epsteinit këtë javë ka marrë përparësi ndaj Donald Trumpit, Kinës, Iranit dhe Ukrainës. Çdo mbrëmje, lajmet televizive të BBC-së kanë lënë në hije Kir Starmerin, NHS-në, reformën tatimore dhe kreditë studentore. Vëmendja i dorëzohet pareshtur Epsteinit, me role dytësore për ish-princin Endrju, Mandelsonin, Bill Gejtsin, Klintonët dhe një galaktikë miliarderësh e personazhesh të famshëm.
Çështja e sjelljes së pahijshme ishte parashikuar të diskutohej nga vetë Mandelsoni me policinë muajin e ardhshëm. Që Lindsëj Hojll, kryetari i Dhomës së Komunave, të kapte ndonjë thashethem “jet-set”-i për arratisjen e mundshme të Mandelsonit drejt Ishujve të Virgjër Britanikë, është e pabesueshme. Që Hojlli ta përcillte më pas këtë thashethem te policia sugjeron se edhe ai, edhe ata, ishin kapluar nga ethet e Epstein-it. Dhe sa për policinë që i kërkoi falje Hojllit për zbulimin e tij si burim – po për Mandelsonin? Ai nuk kishte asnjë interes të mundshëm të vetëinkriminohej duke shkuar në mërgim.
“Dirty Business” ishte një përpjekje e gjallë për të përsëritur dramën e vitit 2024 mbi skandalin e Postës.
Ideja po fiton terren se koncepti i pafajësisë deri në provën e fajit është i tejkaluar, të paktën për figurat publike. Një njollë e lehtë mjafton për të nënkuptuar fajin – edhe nëse pafajësia provohet më pas. Jetët dhe miqësitë mund të ekzagjerohen e dramatizohen sipas dëshirës. Supozimi që qëndronte pas serialit televiziv “The Crown” ishte se mbretërorët, si të famshmit, duhet të presin një shkallë ndërhyrjeje dhe trillimi si çmim i famës. Autorët e dokudramave mbretërore duket se mbështeten në politikën – dikur të mençur – të familjes mbretërore për të mos paditur kurrë.
Vetëm një ditë para arrestimit të Mandelsonit, ITV transmetoi “The Lady”, një dokudramë për vrasjen e të dashurit të saj nga një ndihmës i ish-bashkëshortes së Endrjusë, Sara Ferguson. Ajo pretendonte se ishte “e frymëzuar nga një histori e vërtetë”, megjithëse disa emra ishin ndryshuar, “dhe disa personazhe, ngjarje e skena … ishin krijuar apo bashkuar për qëllime dramatike”. Ishte e pamundur të dallohej se cilat pjesë ishin trillim. Në të njëjtën kohë, “Dirty Business” i Channel 4 ndërthurte historinë e dy burrave që hetonin rrjedhje ujërash të zeza në Cotswolds me vdekjen e rëndë të një vajze të re nga E. coli pasi kishte luajtur në një plazh në Devon. Ishte një përpjekje e gjallë për të përsëritur dramën e vitit 2024 mbi skandalin e Postës. Por a ishte e vërtetë? Dhe nëse po, pse të mos jepej si investigim në “Dispatches” për të shmangur dyshimin?
Shikuesi mbetet në një tokë askujt mes faktit dhe trillimit. Në raste si kompanitë e privatizuara të ujit apo Posta, realizuesit veprojnë si gazetarë investigativë të vetëemëruar, por me licencë artistike për “faksion” – përzierje fakti e fiksioni – për t’i dhënë më shumë gjallëri rrëfimit. Ata kanë të drejtë kur thonë se diçka nuk shkon me disa institucione publike. Këto janë çështje për gazetari serioze dhe për parlamentin. Posta dështoi qartazi dhe dokudrama e bëri efektin. Por përgjegjësia ndaj drejtësisë qëndron në përpjekjen për të përcjellë të vërtetën, jo në rrezikimin e shtrembërimit të saj.
Në sagën Epstein, kam gjithë simpatinë për viktimat dhe asnjë për bashkëpunëtorët e tij. Pak simpati kam për të famshmit që ranë pre e sharmit të tij. Por ideja që e gjithë korrespondenca elektronike e dikujt, sado private apo intime, të publikohet nga një qeveri dhe të trajtohet si pronë globale, më duket e tmerrshme. Që kjo t’i japë medias një kënaqësi kaq varëse nuk është thelbi i çështjes. A është vërtet kjo rruga ku duam të shkojmë?
Email-et e Epstein-it, jam i sigurt, do të përdoren si lëndë e parë për dramë fiktive. Kjo pa dyshim do të shkatërrojë jetët e dhjetëra njerëzve, ndoshta më shumë, duke nënkuptuar faj përmes shoqërimit të pakujdesshëm. Ne nuk jetojmë në Kinë apo Rusi. Një parim themelor i drejtësisë liberale është se qytetarët janë vërtet të pafajshëm derisa të provohen fajtorë. Dhe kjo do të thotë të provohen nga një gjykatë, jo nga një skenarist.
*Simon Xhenkins është kolumnist i Guardian-it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
