“Big Brother VIP Albania” po afron drejt edicionit të gjashtë dhe ndërsa emrat e mundshëm për banorë mbeten gjithmonë në qendër të kuriozitetit, gazetari Bledi Mane ka bërë publike disa prej personazheve që, sipas tij, do të sillnin dinamikë në shtëpinë më të famshme në Shqipëri.
I ftuar në emisionin “She’s On Air” në Top Albania Radio, Mane u pyet se cilët personazhe do të donte të shihte në një tjetër edicion të “Big Brother VIP”. Mes emrave që përmendi ishin figura të njohura nga fusha të ndryshme, përfshirë gazetarin kosovar Milaim Zeka, Helga Cako dhe deputetin Erion Braçe.
I pari që doli në bisedë ishte Milaim Zeka. Mane e konsideroi atë një personazh kontrovers dhe la të kuptohej se prania e tij në format do të sillte diskutime dhe përplasje interesante.
Më pas, gazetari përmendi Helga Cakon, vajzën e Alfred Cakos. Sipas tij, pjesëmarrja e saj do të shoqërohej edhe me një mbështetje të fortë nga babai i saj jashtë shtëpisë. Mane imagjinoi Alfred Cakon si një nga mbështetësit më aktivë të së bijës, duke marrë pjesë në panele televizive dhe duke komentuar rrugëtimin e saj.
“Ka një lidhje të fortë familjare”, tha Mane, duke shtuar se familja Cako është e familjarizuar me botën e televizionit dhe publikun.
Por emri që tërhoqi vëmendje ishte ai i Erion Braçes. Mane tha se do ta shihte me interes deputetin socialist në një format të tillë, duke e përshkruar si një personazh që nuk i shmanget debatit dhe që njihet për karakterin e drejtpërdrejtë.
Sipas tij, Braçe do të ishte një banor që do t’u qëndronte besnik bindjeve të tij dhe do të sillte në ekran një tjetër dimension të figurës së tij publike.
“Nuk e njohim pjesën njerëzore”, u shpreh Mane, duke iu referuar mënyrës se si politikanët shfaqen zakonisht në publik dhe duke ngritur pyetjen se si do të ishte një figurë politike në një ambient krejtësisht ndryshe nga politika.
Ndërkohë, kur u pyet nëse do ta mendonte një rikthim të tijin në “Big Brother VIP”, Mane e përjashtoi këtë mundësi. Sipas tij, publiku tashmë ka nevojë për personazhe të rinj dhe karaktere që nuk i ka parë më herët brenda formatit./mxh
