Dy ministra të lartë të qeverisë së Bolivisë raportohet se kanë dhënë dorëheqjen, mes protestave të ashpra dhe bllokadave rrugore që kanë përfshirë vendin.
Sipas medieve lokale, të cilat cituan burime qeveritare, ministri i Mbrojtjes, Marcelo Salinas, dhe ministrja e Arsimit, Beatriz García, u larguan dje nga detyrat e tyre.
Deri tani nuk ka pasur një konfirmim zyrtar për dorëheqjet, ndërsa arsyet e largimit të tyre mbeten të paqarta.
Grupet që prej disa javësh po protestojnë në vend, kanë kërkuar dorëheqjen e disa ministrave, raportoi gazeta boliviane “La Razon”.
Që nga fillimi i muajit maj, sindikatat, fermerët, minatorët dhe mbështetësit e ish-presidentit të majtë, Evo Morales kanë bllokuar rrugët kryesore të transportit në vend.
Situata ka shkaktuar mungesa të ushqimeve, karburantit dhe ilaçeve.
Protestat janë të drejtuara kundër vështirësive ekonomike, rritjes së kostos së jetesës dhe planeve reformuese të qeverisë konservatore të presidentit, Rodrigo Paz.
Fitorja e tij në zgjedhjet e 2025, i dha fund qeverisjes së krahut të majtë, për rreth dy dekada në vend.
Megjithatë, vëzhguesit vlerësojnë se kriza aktuale buron nga një pakënaqësi më e gjerë sociale dhe ekonomike.
Edhe pse Morales konsiderohet një nga mbështetësit kryesorë të lëvizjes protestuese, analistët e shohin atë më shumë, si një përfitues politik të situatës, sesa si nxitësin e saj kryesor./mxh
