Borxhet e ndërsjella në sektorin energjetik shënuan vlerën 172 miliardë lekëve apo rreth 1.7 miliardë euro këtë vit.
Në projektbuxhetin e vitit 2026, qeveria detajon specifikisht detyrimet që kompanitë publike të energjisë kanë mes njëra-tjetrës dhe ato që kanë ndaj buxhetit të shtetit, si efekt i garancive që dha ky i fundit për një seri kredish ne periudhën e krizës së energjisë.
Një tjetër detyrim në analizë është edhe ai i akumuluar nga institucionet shtetërore të cilat nuk kanë paguar faturat e energjisë.
Konkretisht pjesa më e madhe e këtij borxhi që përfshihet në stokun total është ai që kompanitë e energjisë i kanë Ministrisë së Financave ku rezulton 62.8 miliardë lekë apo më shumë se 682 milionë euro. Kjo shumë përbën 36.5% të totalit.
Në vend të dytë është borxh i akumuluar ndaj Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare ku në total janë 56.38 miliardë lekë apo 564 milionë euro. Kjo shumë është e ndarë mes detyrimeve nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, me 10.55 miliardë lekë dhe OSHEE Group, me 45.83 miliardë lekë.
Ndaj OSHEE Group, borxhi i akumuluar nga disa palë është 40.2 miliardë lekë apo më shumë se 402 milionë euro. Kjo përbën 23.3 për qind të borxhit total të ndërsjellë mes palëve në sektorin energjetik.
Konkretisht, ndaj OSHEE kanë detyrime ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve, me një total prej 33.8 miliardë lekë dhe 6.4 miliardë lekë si borxh që vjen nga ministritë e linjës dhe institucionet e tjera buxhetore.
Ndaj Operatorit të Sistemit të Transmetimit borxhi llogaritet 8.16 miliardë lekë dhe kjo vjen si efekt i pagesave të pakryera nga ana e OSHEE.
Në fund është edhe detyrimi ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ku vetëm OSHEE rezulton debitore dhe me një vlerë 4.69 miliardë lekë.
Pavarësisht se ka pasur një seri nismash për të ulur borxhet e ndërsjella duket se kjo nuk ka rezultuar e suksesshme për të përshpejtuar këtë proces. Kjo lidhet me një seri faktorësh, ku së pari ishte kriza e energjisë, që detyroi përqendrimin e qindra milionë eurove në vitet 2021-2022 për blerje energjie me çmime që arritën në nivele “të çmendura”, teksa ujësjellës-kanalizimet që mbajnë gjithashtu një pjesë të konsiderueshme nuk kanë mundësi pagese.
Këta të fundit prej më shumë se dy vitesh janë në një reformim intensive, teksa dhe Enti Rregullator i Energjisë ka rishikuar çmimet në funksion të kësaj reforme por përmirësimi i treguesve financiarë do të dojë shtrirje më të gjatë në kohë.
Aktualisht, një pjesë e mirë e këtyre ujësjellësve marrin subvencione nga shteti, një pjesë e mirë e të cilave shkojnë për energjinë. Për vitin 2025 ky subvencion është parashikuar 350 milionë lekë dhe pritet të lëvrohet i plotë deri në fund të vitit.
