Last Updated on 29/10/2025 by Klara
Spastrimi etnik më çnjerëzor, sepse iu besua tërësisht makinave vrasëse: dronëve. Avionët rusë të telekomanduar në tre rajone të Ukrainës “sulmuan vazhdimisht civilë, duke shkaktuar vdekje, lëndime dhe shkatërrime të gjera”. Kështu pohon raporti i hetuesve të OKB-së që bëjnë pjesë në Komisionin e hetimit mbi Ukrainën. Dokumenti formulon dy akuza për krime kundër njerëzimit të kryera nga ushtria e Moskës. Para së gjithash, vrasja dhe zhvendosja e detyruar e popullsisë e kryer me përdorimin e bombave fluturuese. Pastaj, deportimi i civilëve nga zonat e pushtuara: disa prej tyre janë torturuar.
Gjuetia ndaj njerëzve nga qielli
“Safari” i tmerrshëm njerëzor i nisur në pranverën e vitit 2024 në Kherson, qyteti i aneksuar nga Rusia në vjeshtën e vitit 2022 dhe më pas i rifituar nga ukrainasit, ishte vetëm fillimi i një operacioni në shkallë të gjerë “sistematik dhe i koordinuar”. Protagonistë janë gjithmonë dronët, të dërguar për të goditur civilët: tufa mjetesh shpërthyese fluturuese që godasin gra, fëmijë dhe të moshuar përgjatë rrugëve dhe madje brenda ndërtesave.
Tani hetuesit e Kombeve të Bashkuara kanë mbledhur prova për të njëjtën “vdekje nga qielli” të shkaktuar përgjatë treqind kilometrave në bregun perëndimor të lumit Dnipro me një qëllim të vetëm: dëbimin e ukrainasve nga shtëpitë e tyre. Këtë e kanë bërë në provincat e Dnipropetrovsk, Kherson dhe Mykolaiv, duke dërguar robotët vrasës për të tmerruar banorët larg vijës së parë të frontit. Janë përqendruar kundër njerëzve, shtëpive, spitaleve, supermarketeve, shkollave, qendrave të ndihmave ushqimore dhe natyrisht infrastrukturave që shpërndajnë energji elektrike dhe ngrohje.
Bomba mbi ekipet e shpëtimit
Ata nuk hodhën bomba vetëm mbi njerëz: ata sulmuan edhe ambulancat dhe zjarrfikësit, personel që është nën mbrojtje të veçantë sipas ligjit ndërkombëtar humanitar. Kreu i ndihmës mjekësore në zonën e Khersonit deklaroi se të gjitha ambulancat u goditën: ata nuk mundën t’i mbanin në shërbim për më shumë se dymbëdhjetë ditë.
Dhe nuk bëhet fjalë për episode të izoluara, por për një fushatë “nën urdhrat e një komande qendrore, me të njëjtin modus operandi për të sulmuar civilët dhe objektet civile, duke shkaktuar frikë dhe shkatërrim”. Raporti – i paraqitur të hënën në Komisionin e Tretë të Asamblesë së Përgjithshme – përmban 226 dëshmi të njerëzve të marrë në shënjestër, që përshkruajnë “një situatë të padurueshme”: “Na godasin çdo ditë. Dronët janë gjithmonë në fluturim: në mëngjes dhe në mbrëmje, ditën dhe natën, vazhdimisht”, ka deklaruar një grua.
Dy rrugët e deportimit
Kur ushtarët rusë pushtojnë vendbanimet, popullsia ukrainase deportohet me forcë. Kjo ka ndodhur në rajonin e Zaporizhzhia, të kontestuar nga të dy ushtritë. Në disa raste i kanë zhvendosur drejt zonave që janë ende nën kontrollin e Kievit: në dy vitet e para njerëzit janë detyruar nën kërcënimin e armëve të ecin në tokë të askujt, madje për dhjetë kilometra. Më pas, nga viti 2024, i kanë dëbuar me forcë drejt Gjeorgjisë: janë çuar deri në kufi dhe pastaj detyruar ta kalojnë.
Ushtarët e Moskës janë të fiksuar me aksionet pas vijës së frontit të kryera nga agjentët ukrainas dhe kanë frikë se banorët mund të japin informacione apo të bashkëpunojnë me diversantët. Për këtë arsye shpesh arrestojnë dhe torturojnë banorët, përveç se konfiskojnë mjetet dhe banesat. Shumë familje ndahen dhe të deportuarit mbeten pa asgjë, shpesh madje pa dokumente identiteti. “Këto veprime – thekson dokumenti i hetuesve të OKB-së – shkaktojnë vuajtje dhe çrregullime të sjelljes që përbëjnë krim lufte dhe shkelje të të drejtave të njeriut”.
Videot që provojnë krimet
Për të konfirmuar shumësinë e dhunimeve ekzistojnë pothuajse pesëqind video – 247 prej tyre të gjeolokalizuara, me identifikimin e saktë të vendit ku janë filmuar – të xhiruara dhe të shpërndara në internet kryesisht nga ushtarët rusë. Janë pamje të regjistruara nga kamerat e dronëve, që tregojnë kërkimin e viktimave dhe përfundojnë me hedhjen e granatave ose me zhytjen vdekjeprurëse të kuadrokopterëve-kamikazë. Ka skena makabre: të moshuar të goditur ndërsa ecin me qeset e pazareve; gra të copëtuara ndërsa hyjnë në një ambulancë; të tjera që përpiqen të shpëtojnë dhe ndiqen pa pushim. Shihen bomba fluturuese që spiunojnë dritaret e pallateve dhe shpërthejnë kur gjejnë një apartament të banuar.
“Shkatërrojnë çatitë e shtëpive për të parë nëse del dikush dhe për ta vrarë. Unë nuk mund t’i var më rrobat në oborr: do të ishte si t’u tregoja objektivin”, ka thënë një nënë familjeje. Nëse rusët kanë sigurinë që shtëpia është e banuar, një dron bombardon çatinë dhe një i dytë hedh një granatë në vrimë. Shpesh përdorin mjete shpërthyese zjarrvënëse: nëse ndonjë prej banorëve përpiqet të shuajë flakët, dërgojnë dronë të tjerë për ta penguar.
Kërcënimet në rrjetet sociale
Videot, të postuara pothuajse ekskluzivisht në Telegram, shumë herë shoqërohen me mesazhe kërcënuese. Në maj 2025 u shpërnda një hartë e Khersonit: “Zonë e kuqe. Miq, lajme të mëdha! Që tani, për çdo sektor ka një detyrë specifike dhe një ekip të ngarkuar ta përmbushë. Qyteti do të shkatërrohet, tullë pas tulle, falë komandantëve të 4049. Qëndroni në pritje për përditësime”. Në qershor 2025 një video tregon një dron që sulmon një nënstacion elektrik, duke shkaktuar zjarr: “Të gjitha po shkatërrohen – është paralajmërimi që shoqëron videon – duke shkaktuar dëmin maksimal. Zona e sulmeve do të shtrihet deri në kufijtë e rajonit, numri do të shumëfishohet”.
Qyteti i hakmarrjes
Laboratori i këtij spastrimi etnik është Kherson, i vetmi qytet i madh i pushtuar në ditët e para të pushtimit, shpallur pjesë e Rusisë me referendumin tallës të vjeshtës 2022, por më pas i braktisur një muaj më vonë në arratinë e ushtrisë së mundur. Që nga viti i kaluar megjithatë, gjeneralët e Putinit kanë vendosur ta bëjnë të pabanueshme: kanë ndodhur mijëra agresione të kryera nga robotët vrasës. Popullsia është rob e terrorit, në një gjendje ankthi të përhershëm. “Është një llotari: shkon të flesh dhe nuk di nëse do të vritesh apo do të zgjohesh në mëngjes”, ka deklaruar një grua. Sulmet vazhdojnë prej pothuajse tetëmbëdhjetë muajsh dhe mijëra ukrainas janë detyruar të largohen. Që nga pranvera 2024 – sipas autoriteteve lokale – dyqind civilë janë vrarë dhe mbi dy mijë janë plagosur. Tremijë banesa janë bombarduar. Dhe gjithçka përmes dronëve.
Gabimet e gjeneralit
Përdorimi i makinave që veprojnë në distancë të madhe ngre problemin e identifikimit të përgjegjësve të krimeve. Komisioni i hetimit ka mbledhur informacione për repartet aktive në zonat e nisjes së avionëve pa pilot. “Bëjnë pjesë në Grupin Dnepr nën urdhrat e gjeneralit Mikhail Teplinsky, i cili i përgjigjet drejtpërdrejt shefit të shtabit Valerj Gerasimov. Në korrikun e kaluar, gjatë një vizite të ministrit të Mbrojtjes, Teplinsky i shpjegoi atij forcimin e rrjetit të kontrollit që lejon përdorimin e dronëve “duke ndjekur një plan të unifikuar, duke reduktuar humbjet dhe duke ruajtur të dhënat për përdorimin e tyre””.
Mburrja e guvernatorit. Sa i përket deportimeve, gishtin e drejtojnë te guvernatori i emëruar nga Moska në rajonin e Zaporizhzhia, Yevhen Balytskyi. Balytskyi ka ndaluar manifestimet dhe aktivitetet anti-ruse, duke urdhëruar dëbimin e atyre që nuk respektonin urdhrat. Dhe në shkurt 2024 i ka thënë televizionit të Moskës: “Kemi dëbuar një numër të madh familjesh. Ato që, në një mënyrë apo në një tjetër, nuk mbështesin Operacionin Ushtarak Special, që fyejnë flamurin, himnin, presidentin e Rusisë. Kemi dëbuar familje të tëra sepse e kuptuam që nuk ishte e mundur t’i bindnim dhe do të duhej t’i përballonim në mënyrë edhe më të ashpër”.
Ankesat e Moskës
Komisioni përbëhet nga tre juristë – një norvegjez, një kolumbian dhe një indiane – dhe ka kërkuar të verifikojë gjithashtu ankesat e autoriteteve ruse që kanë përshkruar sulme kundër civilëve të kryera nga ukrainasit në zonat e pushtuara. Ka dërguar një kërkesë informacioni te ministritë e Moskës, pa marrë përgjigje. Por në këtë front – për shkak të pamundësisë për të shkuar në terren për të kryer intervista dhe verifikuar vendet e bombarduara – është detyruar të pranojë se nuk mund të nxjerrë përfundime “për mungesë të provave të mjaftueshme rrethanore”./ K.M
