Qeveria britanike informoi të hënën drejtuesit e kompanive energjetike mbi masat që duhet të ndërmerren për mbrojtjen e aseteve të tyre, pasi mediat raportuan se hakerë të lidhur me Iranin kishin nxjerrë jashtë funksionit një impiant të vogël energjetik. Autoritetet theksuan se incidenti nuk përbënte kërcënim për sistemin e përgjithshëm elektrik.
“The Telegraph” dhe “Financial Times” raportuan se sulmi kibernetik kishte ndodhur në korrik dhe kishte detyruar një prodhues të vogël britanik të energjisë të ndërpriste aktivitetin për katër ditë.
Pa komentuar se kush qëndronte pas sulmit apo vendin dhe kohën e saktë të incidentit, ministri britanik i Energjisë, Michael Shanks, deklaroi se qeveria dhe industria e kishin trajtuar seriozisht ngjarjen. Sipas tij, autoritetet po bashkëpunojnë me rregullatorët dhe Qendrën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike për të vlerësuar kërcënimet dhe për të forcuar mbrojtjen.
“Për të qenë të qartë: nuk pati asnjë kërcënim për rrjetin e përgjithshëm dhe askush nuk mbeti pa energji elektrike”, shkroi Shanks në platformën X.
Ai sqaroi se gjeneratori i prekur ishte shumë i vogël, veçanërisht në krahasim me atë që zakonisht konsiderohet një central elektrik.
Një zëdhënës i Departamentit britanik të Energjisë deklaroi se sistemi i përgjithshëm nuk ishte rrezikuar, duke shtuar se vendi ka një rrjet energjetik “shumë rezistent”.
Ambasada iraniane në Londër nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment./REUTERS-ad
