Ministri britanik i Mbrojtjes John Healey ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara mbeten “plotësisht të angazhuara” ndaj aleancës së NATO-s, pavarësisht spekulimeve për rishikim të pranisë ushtarake amerikane në Evropë.
Duke folur në Konferencën e Mbrojtjes në Londër, Healey theksoi se bashkëpunimi transatlantik mbetet themeli i sigurisë kolektive, ndërsa shtoi se vendet evropiane duhet të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre.
Ai u shpreh se, gjatë bisedimeve me zyrtarë amerikanë në kuadër të NATO-s, është konfirmuar angazhimi për nenin 5 të traktatit, që garanton mbrojtjen e përbashkët në rast sulmi ndaj një vendi anëtar.
Healey theksoi gjithashtu se Evropa duhet të rrisë investimet në mbrojtje dhe të marrë një rol më aktiv në sigurinë e kontinentit, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar tashmë po e bën këtë, por ka ende më shumë për të bërë.
Deklaratat vijnë në një kohë kur raportime mediatike sugjerojnë se në administratën amerikane janë diskutuar mundësi për reduktim të trupave në Evropë, megjithëse ende nuk është marrë asnjë vendim zyrtar.
Sipas Healey, marrëdhënia mes Londrës dhe Uashingtonit mbetet e fortë dhe e bazuar në bashkëpunim të ngushtë ushtarak dhe strategjik, i cili, sipas tij, ka luajtur rol kyç në operacionet e fundit ndërkombëtare./MXH
