Britney Spears ka rikthyer në vëmendje një nga periudhat më të vështira të jetës së saj, duke folur hapur për vitet që kaloi nën kujdestarinë ligjore dhe pasojat që, sipas saj, vazhdojnë ta ndikojnë edhe sot.
Në një mesazh të publikuar për ndjekësit, artistja amerikane përshkroi atë periudhë si jashtëzakonisht të rëndë, duke thënë se për shumë vite nuk kishte mundësi të merrte vendime të zakonshme për jetën e saj. Ajo u shpreh se ndihej e kontrolluar vazhdimisht dhe se liria e saj personale ishte kufizuar në maksimum.
Spears, e cila u vendos nën kujdestari ligjore në vitin 2008 pas një periudhe të vështirë personale, tha se ndërsa koleget e saj udhëtonin dhe jetonin normalisht, ajo nuk kishte mundësi të bënte zgjedhje të thjeshta pa miratim. Sipas këngëtares, familjarët e dinin në çdo moment ku ndodhej dhe çfarë po bënte.
Në rrëfimin e saj, Britney drejtoi kritika të forta ndaj babait të saj, Jamie Spears, i cili për vite me radhë kishte kontrollin mbi jetën dhe financat e saj. Ajo shprehu gjithashtu zhgënjim ndaj nënës, Lynne Spears, duke thënë se do të kishte dashur që ajo të kishte ndërhyrë dhe ta mbështeste më shumë gjatë asaj periudhe.
Këngëtarja theksoi se edhe pse kujdestaria ligjore ka përfunduar, rikthimi në një jetë plotësisht të pavarur ka qenë i vështirë. Ajo pranoi se vazhdon të përballet me gjykime dhe komente nga publiku, ndërsa përpiqet të rindërtojë jetën e saj pas viteve të kontrollit.
Në fund të mesazhit, Spears u bëri thirrje njerëzve të tregojnë më shumë mirëkuptim dhe empati ndaj atyre që kalojnë sfida të vështira, duke e mbyllur me një apel të thjeshtë: “Vazhdoni të jeni të sjellshëm.”/mxh
