Një postim i vetëm ka mjaftuar që historia e ndarjes mes Sofía Vergara-s dhe Joe Manganiello-s të rikthehet në qendër të vëmendjes, duke ngritur pikëpyetje të reja mbi marrëdhënien e tyre. Aktorja ka shpërndarë një mesazh për “burrat narcistë”, të publikuar fillimisht nga djali i saj, duke ndezur dyshimet se bëhet fjalë për një thumbim ndaj ish-bashkëshortit.
Por Manganiello nuk ka qëndruar në heshtje. Në një moment kur libri i tij i ri po zbulon detaje tronditëse nga beteja që i rrezikoi jetën, aktori ka dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke kërkuar që njerëzit të lexojnë fillimisht historinë e tij përpara se të nxjerrin përfundime.
Gjatë një interviste për emisionin “CBS Mornings”, Joe Manganiello u pyet për reagimet që pasuan publikimin e librit të tij autobiografik, “Bloodlines”, ku ai rrëfen ndër të tjera edhe problemet e rënda shëndetësore që ka kaluar. Në të njëjtën kohë, vëmendjen e publikut e ka tërhequr edhe një postim i Manolo Gonzalez Vergara-s, djalit të Sofía-s, i cili ka ndarë në Instagram një grafik që krahason sjelljet e një “burri të mirë” me ato të një “burri narcist”.
“Kur ke të bësh me një person narcist, nuk ka rëndësi sa shumë bën për të, sepse ai do të të mbajë mëri dhe asgjë nuk do të jetë kurrë e mjaftueshme. Në një mënyrë apo tjetër, ai gjithmonë do të përpiqet të të paraqesë si të keqin”, shkroi Manolo në përshkrimin e postimit.
Ajo që tërhoqi edhe më shumë vëmendjen ishte reagimi i Sofía Vergara-s, e cila e shpërndau postimin në Instagram Stories, duke shtuar një emoji duartrokitjesh. Ky veprim u interpretua si një mesazh i mundshëm i tërthortë për ish-bashkëshortin e saj, veçanërisht në një kohë kur libri i ri i aktorit po rikthen në vëmendje detaje nga martesa dhe ndarja e tyre.
I pyetur se çfarë mendonte për këtë situatë, Manganiello u përgjigj pa e fshehur pakënaqësinë e tij ndaj interpretimeve që po bëhen për historinë personale.
“Mendoj se kushdo që e ka thënë këtë duhet ta lexojë fillimisht librin dhe të kuptojë se për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë, sepse nuk është për këtë. Është për vuajtjet që kam kaluar”, u shpreh aktori.
Ai theksoi se “Bloodlines” nuk është shkruar për të rrëfyer martesën e tij me Sofía Vergara-n, por për të treguar një periudhë të jetës që e çoi shumë pranë vdekjes. Sipas tij, libri është një histori mbijetese, por edhe shprese, pas një beteje shëndetësore që për një kohë të gjatë mbeti e pashpjegueshme.
Në librin e tij, i publikuar më 13 tetor, aktori 49-vjeçar rrëfen për një sëmundje autoimune misterioze, e cila, sipas tij, mund të ketë lidhje edhe me historinë shëndetësore të familjes së tij. Gjendja e tij u përkeqësua aq shumë, sa mjekët u detyruan të ndërhynin për t’i shpëtuar jetën.
Gjatë intervistës, Manganiello tregoi se qëndroi për dy muaj në spital dhe se përfundimisht iu desh të hiqte të gjithë zorrën e trashë. Sëmundja e kishte dëmtuar rëndë organin, duke e çuar trupin e tij në një gjendje kritike.
Aktori përfundoi duke përdorur një qese ostomie dhe humbi rreth 27 kilogramë brenda vetëm dy javësh. Përtej dhimbjeve fizike, ai duhej të përballej edhe me pasigurinë, pasi mjekët nuk arrinin të përcaktonin shkakun e saktë të sëmundjes dhe mënyrën e trajtimit të saj.
“Bloodlines” sjell kështu një anë të jetës së aktorit që, siç ka treguar vetë, e kishte mbajtur të fshehtë për një kohë të gjatë, nga frika se mund të mos mbijetonte.
Pavarësisht ndarjes së tyre dhe spekulimeve që kanë shoqëruar marrëdhënien, Joe Manganiello pranoi se Sofía Vergara ka luajtur një rol vendimtar në shpëtimin e jetës së tij.
Kur aktori ishte pa ndjenja në spital, mjekët kontaktuan ish-bashkëshorten e tij, si personin e afërt të familjes, për ta informuar mbi vendimet që duheshin marrë në lidhje me trajtimin e tij. Sipas Manganiello-s, ajo mori vendimin e duhur në një moment kur ai nuk mund të shprehte vetë dëshirat e tij.
“Ata duhej ta telefononin si personin e afërt të familjes dhe t’i jepnin mundësitë për atë që do të doja të bëhej me mua, ndërsa isha pa ndjenja. Ajo zgjodhi të duhurën”, tregoi aktori.
Ai shpjegoi se vendimi i Sofía-s i dha kohë për të vazhduar luftën me sëmundjen, edhe pse mjekët ende nuk e dinin se çfarë po e shkaktonte problemin dhe si mund ta trajtonin./mxh
