Caitlyn Jenner i ka bërë një thirrje publike Donald Trump, pasi nuk ka arritur të ndryshojë gjiniNë në pasaportën e saj, pavarësisht tranzicionit gjinor.
Çështja lidhet me një urdhër ekzekutiv të vitit 2025, i cili ka sjellë ndryshime në politikat e dokumenteve zyrtare në SHBA. Sipas këtij vendimi, Shtetet e Bashkuara njohin vetëm dy gjini, mashkull dhe femër, të cilat përkufizohen si “realitet biologjik i pandryshueshëm”. Po ashtu, dokumentet shtetërore duhet të pasqyrojnë gjininë “në momentin e konceptimit”, një qasje që ka detyruar SHBA-të të ndryshojnë politikat për pasaportat.
Në një intervistë në podcast-in Tomi Lahren Is Fearless, Jenner shpjegoi se ajo është ndër personat e prekur drejtpërdrejt nga ky vendim.
76-vjeçarja tregoi se kishte punuar për vite me radhë për të përditësuar të gjitha dokumentet e saj, duke ndryshuar shënimin nga “M” (mashkull) në “F” (femër), përfshirë edhe certifikatën e lindjes. Megjithatë, kur pasaporta e saj skadoi dhe u lëshua një e re, ajo u shënua sërish si mashkull.
“Bëra gjithçka”, u shpreh Jenner. “Ua dërgova dokumentet e përditësuara, por ma kthyen pasaportën përsëri me ‘M’. Nuk e ndryshuan.”
Ajo e cilësoi këtë si një çështje sigurie, duke theksuar se nuk mund të udhëtojë më jashtë vendit për shkak të këtij problemi.
“Nuk mund ta përdor pasaportën time. Kjo krijon një problem të madh”, tha ajo, duke shtuar se nuk fajëson drejtpërdrejt Trump, por e konsideron situatën shqetësuese për shumë njerëz.
Në të njëjtën intervistë, Jenner tregoi se i kishte shkruar personalisht Trump-it, me të cilin pretendon se ka marrëdhënie miqësore. Ajo përmendi se kishte lënë një letër në rezidencën Mar-a-Lago, duke shpjeguar situatën e saj dhe ndikimin që ka te shumë persona të tjerë.
Deri më tani, ajo nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“E kuptoj që është i zënë. Kjo nuk është çështja kryesore në axhendën e tij”, tha Jenner, duke shtuar se vazhdon ta mbështesë atë.
Rasti i saj nuk është i vetmi. Edhe figura të tjera publike transgjinore, si Hunter Schafer, kanë folur për probleme të ngjashme me dokumentet e tyre.
Sipas një studimi të Williams Institute në vitin 2021, rreth 476 mijë të rritur transgjinorë në SHBA nuk kanë dokumente identifikimi me shënimin e saktë të gjinisë./mxh
