Politika europiane e migracionit po hyn në një fazë të re, me vendet anëtare që po kërkojnë forcimin e kontrolleve kufitare, përshpejtimin e kthimit të personave pa të drejtë qëndrimi dhe rritjen e bashkëpunimit me vendet e origjinës dhe tranzitit.
Migracioni ishte një nga temat kryesore të diskutimeve në Këshillin e Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme të BE-së, të zhvilluar javën e kaluar në Luksemburg. Takimi pasoi Konferencën e Migracionit në Mynih më 26 shtator, ku disa ministra europianë kërkuan procedura më të shpejta për kthimet, kontrolle më të forta në kufijtë e jashtëm dhe një rol më të madh operacional për Frontex.
Më 1 tetor, Këshilli i BE-së dha dritën jeshile përfundimtare për rregullat e reja që synojnë ta bëjnë më efikas kthimin e personave që nuk kanë të drejtë ligjore të qëndrojnë në territorin e Unionit. Rregullat pritet të hyjnë në fuqi në javët e ardhshme dhe do të plotësojnë Paktin për Migracionin dhe Azilin, duke mbështetur zbatimin e tij.
Në të njëjtën kohë, Komisioni Europian po kërkon forcimin e kapaciteteve të Frontex dhe zgjerimin e përdorimit të dronëve dhe teknologjive të tjera për mbikëqyrjen e kufijve dhe mbrojtjen e infrastrukturës. Për këtë qëllim është propozuar një financim shtesë prej 130 milionë eurosh, mbi 250 milionë eurot e parashikuara tashmë në planin e BE-së për përdorimin e dronëve.
Një tjetër drejtim i politikës së re europiane është diplomacia e migracionit. BE synon të thellojë bashkëpunimin me vendet kryesore të origjinës dhe tranzitit, përfshirë Bangladeshin, Pakistanin, vendet e Gjirit, Egjiptin, Libinë dhe Marokun, me synimin për të ndërhyrë më herët përgjatë rrugëve migratore dhe për të kufizuar mbërritjet e parregullta në kufijtë europianë.
Liderët europianë kanë rënë gjithashtu dakord të ecin përpara me rregulloren e re për kthimet, duke synuar procedura më të shpejta dhe më efektive, përfshirë përmes bashkëpunimit më të ngushtë me vende si Maroku.
Ndërsa BE po forcon politikën e kontrollit të kufijve dhe kthimeve, debati mbetet i hapur mbi mënyrën se si Europa duhet të menaxhojë mbërritjet, azilin dhe kthimet. Pyetja që shtrohet është nëse masat e reja përfaqësojnë një qasje efektive dhe nëse prioritetet e Unionit janë të përshtatura me sfidat aktuale të migracionit.
BE po përpiqet kështu të kombinojë kontrollet më të forta në kufijtë e jashtëm me bashkëpunimin me vendet e origjinës dhe tranzitit, ndërsa zbatimi i rregullave të reja do të tregojë se sa efektive do të jenë këto masa në praktikë./k.m
