Eksperti Kadri Manaj ka folur për Euronews Albania këtë të martë, në edicionin informativ me moderatorin Ilir Kazaferi, mbi ndërprerjen masive të website-eve në mbarë botën dhe veçanërisht në Shqipëri. Manaj ka shpjeguar arsyet e bllokimit dhe se kur pritet të zgjidhet ngërçi i krijuar, i cili vijon prej 3 orësh.
“Ka ndodhur një efekt domino. Shërbimet kanë rënë njëra pas tjetrës. Kompania që është ndërmjetëse midis konsumatorit të internetit dhe serverit, e cila luan një rol thelbësor në mbrojtje nga robotët apo edhe nga pjesa e keqbërësve, le të themi, që përdoren për të rrëzuar faqet e internetit. Kjo është një lloj rojtari i website-ve dhe, në momentin kur ka shumë trafik, ato mbingarkohen dhe ndodh kjo situatë. Edhe serverat kanë qenë shumë të ngarkuar.
Besoj se deri në darkë do të jetë duke u rikuperuar, ose do të stabilizohet sipas mënyrës së software-it. Tani ka nisur të anashkalohet shërbimi i software-it dhe po i drejtohemi drejtpërdrejt serverave, duke e bërë situatën pak më të mirë. Gjithsesi, do të kthehemi sërish te software-i, sepse është një mbrojtës shumë i mirë.”-tha Manaj. m.p.
