Mungesa e ujit po shndërrohet në një nga sfidat më të mëdha për Evropën. Temperaturat rekord, thatësirat, ndotja dhe keqmenaxhimi i burimeve ujore kanë rritur presionin mbi lumenjtë, liqenet dhe ujërat nëntokësore, duke detyruar Bashkimin Evropian të ndërmarrë masa për forcimin e rezistencës ndaj krizës së ujit.
Sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), rreth 30 për qind e evropianëve dhe 20 për qind e territorit të kontinentit përballen me mungesë uji çdo vit. Situata përkeqësohet gjatë muajve të verës, kur temperaturat e larta rrisin avullimin dhe kërkesën për ujë, ndërsa rezervat natyrore pakësohen.
Shfrytëzimi i tepërt i ujit, ndotja dhe infrastruktura e amortizuar kanë dobësuar më tej sistemin. Edhe pse nxjerrjet totale të ujit në BE janë ulur me rreth 14 për qind nga viti 2000 deri në vitin 2023, humbjet në rrjetet publike mbeten të larta. Sipas të dhënave të EurEau, rreth 23.5 për qind e ujit të trajtuar humbet ende përpara se të arrijë te konsumatorët.
“Ne ende po humbasim vëllime të mëdha të ujit të pijshëm të trajtuar përmes tubave të vjetëruar para se të arrijë në rubinetet e njerëzve”, deklaroi eurodeputeti Thomas Bajada, raportues i Strategjisë së Rezistencës ndaj Ujit në Parlamentin Evropian.
Strategjia e BE-së për rezistencën ndaj ujit
Në qershor 2025, Bashkimi Evropian prezantoi Strategjinë për Rezistencën ndaj Ujit, e cila synon ta bëjë Evropën më të përgatitur për përballimin e mungesës së ujit dhe ndryshimeve klimatike.
Strategjia parashikon më shumë se 50 masa, që përfshijnë mbrojtjen e burimeve ujore, reduktimin e ndotjes, ripërdorimin e ujit dhe modernizimin e infrastrukturës. Një nga objektivat kryesore është rritja me 10 për qind e efikasitetit të përdorimit të ujit deri në vitin 2030.
BE-ja synon gjithashtu të përdorë më shumë teknologji moderne, përfshirë matësit inteligjentë, sistemet e zbulimit të rrjedhjeve, monitorimin satelitor të lagështisë së tokës dhe parashikimet e bazuara në inteligjencën artificiale.
Një tjetër parim i strategjisë është “efikasiteti i ujit në radhë të parë”, që nënkupton reduktimin e shpërdorimit dhe përdorimin më racional të burimeve ekzistuese përpara se të investohet në burime të reja, si shkripëzimi i ujit.
Banka Evropiane e Investimeve ka parashikuar 15 miliardë euro investime në kuadër të kësaj strategjie. Megjithatë, Bajada paralajmëron se kjo shumë mund të mos jetë e mjaftueshme për përmasat e krizës.
Evropa Jugore më e ekspozuara
Rajonet jugore të Evropës janë ndër më të prekurat nga mungesa e ujit. Temperaturat e larta dhe kërkesa e madhe nga bujqësia, turizmi dhe konsumatorët e rrisin ndjeshëm presionin mbi burimet ujore.
Qiproja dhe Malta janë ndër vendet me nivelin më të lartë të stresit ujor. Në vitin 2023, Qiproja përdori rreth 92.1 për qind të burimeve të saj të rinovueshme të ujërave të ëmbla, ndërsa Malta rreth 66.7 për qind, shumë mbi pragun prej 40 për qind që konsiderohet stres i rëndë ujor.
Të dyja vendet janë detyruar të mbështeten gjithnjë e më shumë te teknologjitë alternative. Qiproja ripërdor pothuajse të gjithë ujërat e zeza të trajtuara, ndërsa të dy ishujt kanë zgjeruar kapacitetet e impianteve të shkripëzimit, të cilat sigurojnë pjesën më të madhe të ujit të pijshëm.
Ndërkohë, edhe vendet e Evropës Qendrore dhe Veriore po përballen me presione në rritje, kryesisht për shkak të kërkesës së industrisë dhe sektorit energjetik.
Kriza e ujit prek energjinë dhe ushqimin
Mungesa e ujit nuk është vetëm një problem mjedisor. Ajo mund të ndikojë drejtpërdrejt në ekonominë dhe jetën e përditshme të qytetarëve.
Sektori energjetik përbën rreth 33 për qind të nxjerrjeve të ujit në Evropë. Nivelet e ulëta të ujit në lumenj mund të kufizojnë funksionimin e termocentraleve dhe hidrocentraleve, duke rrezikuar furnizimin me energji.
Bujqësia konsumon rreth 31 për qind të ujit, ndërsa thatësirat mund të shkaktojnë ulje të prodhimit bujqësor, humbje ekonomike për fermerët dhe rritje të çmimeve të ushqimeve.
Furnizimi publik me ujë përbën rreth 21 për qind të nxjerrjeve. Në zonat turistike, presioni është edhe më i madh. Sipas EEA-së, turistët mund të konsumojnë nga 300 deri në 2,000 litra ujë për person në ditë, krahasuar me rreth 125 litra për banorët vendas.
Industria, nga ana tjetër, përbën rreth 14 për qind të përdorimit total të ujit në BE. Mungesa e ujit mund të godasë veçanërisht sektorët që varen shumë nga ky burim, si prodhimi i çelikut, letrës dhe ushqimeve.
Një krizë që kërkon investime afatgjata
BE-ja po përpiqet ta trajtojë krizën e ujit jo vetëm përmes masave emergjente, por edhe përmes ndryshimeve afatgjata në mënyrën se si menaxhohen burimet ujore.
Modernizimi i rrjeteve, reduktimi i rrjedhjeve, ripërdorimi i ujërave të zeza, mbrojtja e ekosistemeve dhe përdorimi i teknologjive të reja janë ndër masat kryesore të strategjisë.
Megjithatë, përballja me krizën do të kërkojë investime të vazhdueshme dhe bashkëpunim mes institucioneve evropiane, qeverive kombëtare, industrisë, bujqësisë dhe qytetarëve.
“Uji nuk është më vetëm një investim mjedisor. Është një investim në mirëqenien e njerëzve, sigurinë ushqimore, shëndetin publik, konkurrueshmërinë ekonomike dhe qëndrueshmërinë”, theksoi Bajada.
Me ndryshimet klimatike që pritet të intensifikojnë thatësirat në dekadat e ardhshme, menaxhimi i ujit po shndërrohet kështu në një çështje strategjike për sigurinë dhe ekonominë e Evropës./kb
