Last Updated on 11/11/2025 by MB
Disiplina dhe serioziteti janë dy vyrtyte që Kombëtarja duhet ti ketë patjetër sipas Armando Cungut në ndeshjen me Andorën, e parafundit për kualifikueset e Botërorit. Për Report Tv trajneri i shumë skuadrave në futbollin shqiptar, shton se ndryshe nga ndeshja me Serbinë, Shqipëria të enjten e 13 nëntorit do jetë kombëtarja që do të ketë presion.
“Është një ndeshje që patjetër është detyrë shtëpie për ta kaluar. Për rrjedhojë kemi një farë presioni indirekt. Ndryshe nga ndeshja me Serbinë. Kët presion, kemi të bëjmë me një ekip profesionist, mund ta përballojmë sepse pjesa dërrmuese e kombëtares luajnë në kampionate të huaja dhe ekipe elitare,”-u shpreh Armando Cungu, trajner futbolli.
Trajneri shkodran është i bindur se nëse fitojmë me Andorrën kombëtarja e ka të sigurtë biletën e ‘play-off-it’ të botërorit pavarësisht rezultatit në ndeshjen me Anglinë.
“Unë nuk shoh ndonjë matematikë tjetër me thënë të drejtën. Duhet ndonjë kombinim i jashtëzakonshëm me fitu Serbia në Angli, gjë që s’ndodh. Ndeshja me Andorën është kyçse sepse fitorja automatikisht na çon në ‘play-off’. S’ka vend për aludime,”-tha Armando Cungu, trajner futbolli.
Për Eneo Bitrin, futbollist i cili aktivizohet në Hungari dhe që më herët është ftuar në kombëtare nga Edy Reja, me rëndësi është që ndeshja ndaj Andorës të zhbllokohet sa më shpejt.
“Këto ndeshje duhet zgjidhur sa më shpejt sepse më vonë, në pjesën e dytë komplikohet gjithçka. Siç na ndodhi edhe në Letoni. Besoj djemtë dhe trajneri kanë punuar për këtë pjesë, që ta zgjidhin ndeshjen sa më shpejt, pasi nëse minutat ikin bëhet më e vështirë,”-deklaroi futbollisti Eneo Bitri.
Për Report Tv, si Eneo Bitri ashtu edhe Armando Cungu parashikuan se kombëtarja kundër Andorës do t’ia dalë me rezultatin 0-2. m.p.
